E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthimi i camëve në kufirin grek, Idrizi: Parlamenti të reagojë

TIRANE- Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka kërkuar reagimin e Parlamentit ndaj kthimit që Greqia po iu bën camëve në pikat e kalimit kufitar. Ai e ka konsideruar këtë veprim të pafalshëm dhe në shkelje me të drejtat që rrjedhin nga demokracia dhe lëvizja e lirë e njerëzve.
“Ajo që po konsumohet sot në kufijtë e Greqisë, në kufijtë e Europës së bashkuar është e pafalshme dhe buron prej harresës, prej tërheqjes sonë të vazhdueshme nga kërkimi i së drejtës.

Po refuzohen të hyjnë në tokën fqinje burra pleq, që kur ndodhi lufta për të cilën akuzohen ishin akoma fëmijë, po refuzohen vetëm se kanë lindur në Camëri. Po refuzohen sepse duan të shohin edhe njëherë para se të vdesin, tokën e të parëve të tyre, varret e tyre, të përmbushin një amanet për të cilin nuk i tret dheu. Si mundet sot që një pjesë e popullsisë shqiptare, ajo më e martirizuar të diskriminohet përsëri? Si mundet sot, pleqëve 75-80 vjecarë tu mohoen frytet e lirisë dhe demokracisë?”, tha Idrizi.

Idrizi ka deklaruar se camëve po iu mohohen frytet e demokracisë dhe të drejtat që rrjedhin nga lëvizja e lirë e njërëzve, duke mos u lejuar nga grekët të kthehen në vendin e tyre vetëm se në pasaporta kanë vendlindjen Camëri.

Kreu i PDIU-së, Idizi ndër të tjera ka kërkuar dinjitet për genocidin që grekët i bënë popullsisë came 66 vjet më parë, ku u masakruan barbarisht rreth 5 mijë vetë, mes tyre shumë gra dhe fëmijë.

“Unë sot dua t’i bëj thirrje ndërgjegjes tuaj kombëtare. A do të strukemi gjithnjë në labirinthet e harresës, duke injoruar një krim kaq të madh si ky që ka ndodhur në kurriz të popullit shqiptar cam apo do të reagojmë me dinjitet për të kërkuar drejtësi për një krim të shëmtuar për racën njerëzore, si ai që u krye me gratë, pleqtë dhe fëmijët e Paramithisë, Filatit, Margëllicit, Gumenicës, Pargës, Artës etj. Parlamenti i vitit 2011 nuk është parlament i turpshëm i vitit 2004, i cili nuk guxoi të miratonte një rezolutë, e cila kërkonte vetëm drejtësi europiane fqinjit tonë verior për genocidin e kryer mbi popullsinë came

Parlamenti ka mbajtur një minutë heshtje në kujtim të viktimave të popullsisë came, ndërsa kreu i PDIU-së, Idrizi ka ftuar deputetët që të bashkohen në ritin e përbotshëm të zisë që zhvillohet në Qafë Botë, në peligrinazhin e trëndafilave të paharruar të Camërisë.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›