E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthimi i emigrantëve, mbingarkesë në portin dhe rrugët e Durrësit

Sezoni Të kthyerit tregojnë se në Portin e Barit ka mijëra të tjerë që presin të lundrojnë

Fluks i konsiderueshëm emigrantësh dhe automjetesh në portin detar dhe rrugët e Durrësit. Mbi 20 mijë persona, kryesisht emigrantë shqiptarë dhe kosovarë, kanë hyrë në Shqipëri nga Porti i Durrësit këtë fundjavë. Sportelet e policisë kufitare dhe doganierët kanë punuar me kapacitet të plotë për të përballuar këtë fluks dhe shmangur vonesat e pakënaqësitë në përpunim. Për këtë qëllim shërbimet e policisë kufitare kanë vënë në funksionim të 23 sportelet. Vetëm të dielën kanë mbërritur gjatë ditës deri në darkë dhjetë tragete. Të ardhur nga vende të ndryshme të Europës, emigrantët tregojnë se situata në Portin italian të Barit është shumë e ngarkuar gjithashtu nga një fluks emigrantësh që presin të imbarkohen në tragete dhe të kthehen për pushime në atdhe. Këtë sezon, fluksi i kthimeve përmes mjeteve të transportit detar ka qenë tepër i lartë në fundjava, ndërsa në ditët e javës ai nuk ka pasur ritmin e viteve të shkuara. Kjo ka bërë që agjencitë e lundrimit të shtojnë numrin e trageteve dhe të shpeshtojnë lëvizjet e tyre të shtunën dhe të dielën për t’iu përgjigjur kërkesës së udhëtarëve. Ndërkaq, shumë njerëz kanë dalë t’i presin familjarët e tyre në daljet portuale. Futja në vend e mijëra automjeteve nga emigrantët, si dhe mbërritja nga rrethe të ndryshme e njerëzve që dalin t’i presin ata në Portin e Durrësit e ka rritur ndjeshëm numrin e makinave në rrugë. Fillimi i muajit gusht ka sjellë një trafik të ri edhe më të rënduar në rrugët që lidhin qytetin portual e bregdetar të Durrësit me pjesët e tjera të vendit. Jo vetëm kthimi i emigrantëve në vend, por edhe nisja e pushimeve për shumë të tjerë ka bërë që trafiku të rëndohet së tepërmi dhe të krijohen vonesa në qarkullim. Janë të shumtë pushuesit nga Kosova, por edhe nga Tirana e rrethe të tjera të vendit që kanë lëvizur drejt plazheve të Durrësit, por edhe atyre të bregdetit të jugut në këto ditë të para të gushtit që konsiderohet muaji më i nxehtë për sa u përket pushimeve. Për të disiplinuar trafikun e rënduar të forcave të policisë rrugore të Durrësit e Kavajës u kanë ardhur në ndihmë dhe shërbime nga policitë e rretheve fqinje. Respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor në këto kushte është mënyra më e mirë për të shmangur aksidentet dhe ngjarjet e tjera në rrugë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›