Deputetët, memecë të sesionit që u mbyll
Në krye të listës së deputetëve, të cilët kanë qenë më aktivë në seancat parlamentare të sesionit të dytë, janë demokratët që kanë përfituar nga mungesa e socialistëve në Kuvend. Por pavarësisht këtij bilanci, socialistët kanë kapur ritmin e Partisë Demokratike, madje disa socialistë e kanë tejkaluar prezencën në foltoren e Parlamentit edhe të demokratëve. Në këtë legjislaturë vihet re se deputetët e vjetër janë futur në stolin e rezervave, ndërsa deputetët e rinj duket se kanë qenë më aktivë gjatë punimeve të seancave plenare. Zgjedhjet e 28 qershorit sollën në Parlament 140 deputetë. Risi e këtyre zgjedhjeve u konsiderua edhe përfshirja e kandidatëve të cilët nuk ishin atashuar kurrë më parë në politikë dhe tashmë zënë pothuajse gjysmën e numrit të deputetëve.
Deputetët demokratëKryetari i grupit parlamentar të PD-së është zgjuar nga ‘gjumi parlamentar’ pas seancës ku socialistët janë betuar në sallën e Kuvendit. Deri në ardhjen e socialistëve, kreu i grupit parlamentar të demokratëve kishte mbajtur fjalim vetëm dy herë, ndërsa pas ardhjes së socialistëve numri i fjalimeve në 60-minutëshin e diskutimit të lirë për deputetin Patozi ka shkuar në 20. Pas tij renditen deputetët Edmond Spaho, Edi Paloka, Eduard Halimi, Arenca Trashani, Jemin Gjana, Paulina Hoti, Aldo Bumçi, Gjok Uldedaj, Fatbardh Kadilli, të cilët kanë mbajtur më shumë se 10 fjalime në foltoren e Kuvendit. Deputetët më të heshtur në kampin demokrat për sesionin që sapo është mbyllur kanë qenë Bedri Hoxha, Mehmet Xheka, Vasillaq Ngresi, Ismail Hoxha, Mark Marku, Rajmonda Bulku dhe Kreshnik çipi. Ndërsa në kampin e Lëvizjes Socialiste për integrim, deputeti Lefter Koka ka folur vetëm një herë nga foltorja e Kuvendit.
Deputetët socialistëMë aktivët e Partisë Socialiste gjatë sesionit të dytë kuvendor kanë qenë deputetët: Gramoz Ruçi, Erion Braçe, Saimir Tahiri, Ermelinda Meksi, Taulant Balla, Arta Dade, Namik Dokle dhe Arben Malaj. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka folur 23 herë në foltoren e Kuvendit në 28 seanca. Vlen të theksohet se Partia Socialiste në shumicën e 28 seancave ka munguar në sallën e Parlamentit. Deputeti Erion Braçe është i dyti në kampin e socialistëve që mban numrin më të madh të fjalimeve në Parlament. I treti në kampin e socialistëve për fjalime më të shpeshta në Kuvend është deputeti Saimir Tahiri. Kjo renditje ndiqet nga dy deputetet, Arta Dade dhe Ermelinda Meksi, të cilat kanë marrë të drejtën e fjalës 11 herë. Më pas lista vijon me Taulant Ballën, Namik Doklen dhe Arben Malajn. Deputetët më të heshtur të kampit rozë janë Hazir Gashi, Marko Bello, Ben Blushi, Qemal Minxhozi, Skënder Hasa, Fatos Tushe, Vangjel Tavo dhe Ndue Kola.
#