E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthimi i gjyqtarëve nga grekët, Haxhinasto: Disa politikanë nguten

Edmond Haxhinasto

Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ka reaguar dje për ndalimin që u është bërë tre gjyqtarëve që gjykuan kreun e OMONIA-s, Naum Disho, të kalojë në Greqi. I pyetur në Bruksel nga mediat shqiptare lidhur me këtë fakt, kreu i Diplomacisë sonë fillimisht e ka quajtur padurim faktin që media dhe disa politikanë kanë kërkuar reagimin zyrtar. Nuk e kuptoj këtë padurim që kanë disa organe të medias apo edhe disa politikanë. Ministria e Punëve të Jashtme ka mënyrat, procedurat diplomatike me të cilat ajo komunikon me Greqinë apo me çdo vend tjetër kur ka çështje të një natyre të tillë, u shpreh Haxhinasto. Ministri i Jashtëm tha se institucioni që ai drejton ka filluar të lëvizë në këtë drejtim. Do të thosha dhe do të garantoja gjithkënd se Ministria e Punëve të Jashtme, me marrjen e këtij informacioni dhe njohjen e problemit, ka filluar veprimet e saj respektove, të cilat do tia lëmë kohës dhe do të shohim se sa efikase do të jenë. Duke folur për Ministerialin e NATO-s që po zhvillohet në Bruksel, ai tha se momenti më i rëndësishëm ishte takimi me sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton dhe konfirmimin e vizitës në Shqipëri nga ana e saj. Pata disa takime dhe në mënyrë të veçantë do të theksoja takimin me homologun holandez, me të cilin jemi ndalur dhe kemi bërë një rishikim të të gjitha çështjeve që Shqipëria ka në procesin e integrimit. E kam informuar për progresin që është bërë në 12 prioritetet, siç jemi mësuar ta quajmë paketën dhe, sigurisht, për çështje të tjera politike apo të zhvillimeve në rajon. Një moment i veçantë ishte dhe takimi me sekretaren e Departamentit Amerikan të Shtetit, znj. Hillari Klinton, e cila, ashtu siç është bërë e njohur tashmë në media, konfirmoi se në gjysmën e dytë të vitit në vazhdim planifikon të bëjë një vizitë në Shqipëri, u shpreh ministri. Gjatë takimit të NATO-s, Haxhinasto pati takime edhe me ministrat e Jashtëm të Turqisë, Kanadasë, Bullgarisë, Kroacisë, Gjermanisë etj.

Takimi
Në fjalën e tij në Ministerialin e NATO-s, ministri Haxhinasto nënvizoi se Shqipëria mbështet me forcë integrimin e të gjitha vendeve të rajonit në Aleancë. Po ashtu, në këtë aspekt në Ministerial u mbështet mundësia e organizimit të një takimi të veçantë midis NATO-s dhe tri vendeve aspirante, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Gjeorgjia. Është e rëndësishme gjithashtu që në Samitin e Çikagos të përcjellim një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të ardhmen në Aleancë të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, theksoi ministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›