Kthimi i sukseseve

Filmi ‘Kthimi’ me skenar të Shefqet Gjocajt dhe në regji të Blerta Zeqirit është shembulli më i mirë që tregon se si filmi kosovar mund të depërtojë jashtë vendit. Deri më tani ky film ka grumbulluar mbi dhjetë çmime nëpër festivale të ndryshme të filmit, përfshirë edhe çmimin për filmin më të mirë të shkurtë në festivalin e njohur Sundance Film Festival në SHBA.
Dy çmimet që ky film së fundmi i ka sjellë në Kosovë janë ato nga ‘Evolution International Film Festival’ në Mallorca të Spanjës dhe tjetri nga ‘FilmLabFestival’ nga Italia. I pari, ai për aktorin më të mirë, i është dhënë aktorit Lulzim Bucolli, ndërsa nga festivali tjetër, po ashtu çmimi për aktoren më të mirë, i është dhënë aktores Adriana Matoshi. Të dy aktorët shprehen të gëzuar për këto dhe për çmimet tjera që i ka marrë filmi ‘Kthimi’.
“Jam shumë i kënaqur për këtë të arritur të filmit. Është një promovim i madh për vlerat tona artistike. Nuk e kam pritur këtë bujë kaq të madhe të filmit, por gjithsesi më vjen shumë mirë që kam qenë aktor në këtë film”, shprehet Lulzim Bucolli, aktor në filmin ‘Kthimi’. Për çmimin që e mori në Spanjë, Bucolli thotë se e bënë të ndihet krenar.
Fatkeqësisht, ai nuk arriti ta marrë vizën për të shkuar vetë në Mallorca të Spanjës dhe për ta marrë çmimin.
“Meqë vizën nuk e mora që të shkoj atje gjatë ceremonisë, së paku çmimin e mora. Edhe pse ndjenja e pranimit të çmimit kur je prezent në festival dhe kur nuk je atje dallon, prapëseprapë jam i kënaqur. Shpresoj në të ardhmen të mos kemi këso barrierash”, thotë Bucolli.
Gëzimin nuk e fsheh as aktorja Adriana Matoshi, e cila thotë se i tërë ekipi ka punuar me përkushtim të madh për realizimin e filmit.
“Jo vetëm unë por secili prej nesh jemi shumë të kënaqur që na u ka shpërblyer mundi e puna, e këtu padyshim që krejt barra më e madhe ka qenë e regjisores Blerta Zeqiri, pasi që përveç punës se vet është dashtë të merret edhe me secilin prej nesh”, thotë Matoshi.
Me çmimin për aktoren më të mirë, përpos në festivalin italian, ajo është vlerësuar edhe në Greqi në edicionin e nëntë të Naoussa International Film Festival. Matoshi ndihet e lumtur që pas shumë vjetësh mund e sakrificë në profesionin e saj, puna e saj po vlerësohet edhe në skenën ndërkombëtare. Sipas saj, suksesi i këtij filmi qëndron te vullneti, te skenari i fortë, te loja e aktorëve, te regjia, te mënyra se si është trajtuar tema dhe bashkimi i krejt forcave te ekipit. Ndërkaq, aktori Bucolli suksesin e sheh te stili i filmit, që është natyror dhe i thjeshtë.
“Në skenar kemi improvizuar, kuptohet brenda kornizave të regjisores dhe besoj që çelësi i suksesit të filmit ka qenë thjeshtësia e filmit dhe tema e shtjelluar në këtë mënyrë”, thekson Bucolli.
Të dy aktorët shprehen të mllefosur për dëmet që i janë shkaktuar filmit nga mosmarrëveshjet për autorësi ndërmjet regjisores dhe producentit. Si rezultat i këtyre mosmarrëveshjeve, filmi ‘Kthimi’ nuk arriti të marrë pjesë në Festivalin Europian të Filmit e as të garojë për Oscar, megjithëse gjasat kanë qenë të mirë.
“Filmi ka udhëtuar në shumë festivale, por ka pasur mundësi që të shkojë edhe nëpër festivale tjera shumë të rëndësishme, gjë që do të mund të rezultonte me çmime të ndryshme dhe promovime. Nuk mund të përcaktoj dëmin e saktë që është shkaktuar por mund ta merrni me mend”, shprehet Bucolli. Ndërsa, Matoshi thotë se nga këto mosmarrëveshje përpos që është dëmtuar filmi, është dëmtuar edhe puna e secilit prej tyre.
“Pas sa viteve vjen një moment ku puna e ekipit vlerësohet në secilin festival e të them që nuk janë pak 40 e ma shumë festivale ku çmohet puna e secilit dhe për shkak të egoizmit të Blerim Gjocit, ‘kolegut’ tonë që për një jetë të tërë ka udhëtuar nëpër botë për të pasur sukses si aktor, si producent, e tash së fundmi edhe si regjisor, dorën në zemër me asnjërën nuk i ka dhezë e leje që i ka bërë dëm edhe vetes, po më së shumti neve tjerëve që na është vërejtur puna”, thotë Matoshi.