E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthimi në shtëpi, pas një viti në Kosovë

Pesëmbëdhjetë anëtarë të Gardës Kombëtare, të enjten u kthyen përsëri në SHBA, pas misionit të tyre për të udhëhequr një forcë shumëkombëshe, paqeruajtëse në vendin ballkanik. Njëri ndër ata është edhe Mark Tibor nga Bizmarku.

Me të mbërritur në vendlindje, ai ka menduar disa opsione. Gjëja e parë që ai ka në listë, është fjetja pas një kohe të gjatë, në shtratin e tij. Tibor ishte mes atyre pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Dakotës Veriore, që arritën të enjten në mbrëmje në aeroportin Bismarck, pas misionit gati njëvjeçar në Kosovë. Kurse të tjerë ushtarë të mbetur në Kosovë, do të kthehen në shtëpi nga e shtuna, derisa në Kosovë do të mbesin vetëm rreth 40 trupa.

Të emocionuar për arritjen e Tiborit në atdhe, ishin të gjithë familjarët. Madje gruaja e tij, Rene, e dinte që ai do të kthehej gjatë kësaj jave, mirëpo detajet e arritjes i ka kuptuar vetëm të mërkurën.

“Ai fluturoi drejt Fort Benningut të shtunën. Ne nuk e dinim se kur do të kthehej në Dakotën e Veriut, aty ku e presin fëmijët”, shpjegon Rene, e cila fliste e bindur se kthimi i të shoqit do t’i rregullojë gjërat në shtëpi për të dhe 2 djemtë e tyre, Kellen (15-vjeçar) dhe Kendall (8-vjeçar).

Por ajo nuk harroi të përmendë faktin se ajo me fëmijët kanë pasur përkrahje të madhe edhe nga pjesa tjetër e familjes, shumica prej të cilëve ishin në aeroport për t’i uruar Tiborit mirëseardhje në shtëpi.

Njëri ndër ata ishte edhe babai i Markut, Charlie Tibor, i cili e pranoi se 9 muajt, sa djali i tij ishte në Kosovë, ishin mjaft të vështirë për të gjithë.

“Është gjithmonë vështirë kur nuk i ke fëmijët afër. Por tani ai sigurisht ka planifikuar që këtë kohë ta kompensojë, ndoshta duke luajtur golf me djalin e tij”, u shpreh babai i ushtarit Mark.

Kurse, gruaja e Markut, Rene shpjegon se burri i saj është pjesë e Gardës Kombëtare që nga viti 1984, por Kosova ishte misioni i parë i tij jashtë vendit.

“Por, ky mision më ka ndihmuar mua dhe familjen time të jemi më të fortë dhe të dimë se çfarë presim gjatë jetës nga misioni i burrit tim”, tha e bindur Rene, duke treguar se fëmijët gjatë kësaj kohe kur babai i tyre nuk ishte pranë, kanë qenë shumë të mirë.

“Ndoshta këtë e bënin për shkak të mungesës së babait. Madje kur po niseshim drejt aeroportit, në garazh gjetëm një gjarpër dhe unë mendova që të prisja Markun të merrej me të. Por Kellen u kujdes për këtë gjë”, thotë Rene.

Edhe fëmijët filluan të flisnin për mungesën e babait të tyre. Kellen tregon që i kanë munguar gjërat e vogla të përditshme, për të cilat ai kurrë nuk i kishte menduar derisa e kishte babain afër. “Ishte sfiduese, sepse nuk është lehtë të mos e kesh babain afër për t’u mbështetur në të”, thekson djali i Markut. Por sipas tij, gjatë kohës sa babai i tij ishte larg, ai është përpjekur të sillet mirë. “Mendoj se jam bërë më i përgjegjshëm dhe më i pavarur, duke e ditur faktin se babain nuk e kisha pranë meje”, tha Kellen, i cili ka shumë respekt për punën që bën i ati i tij për vendin e tij.

Ai sqaron se edhe të afërm të tjerë të babait kishin shërbyer si ushtarë të SHBA-së në luftën e Vietnamit, dhe se kjo nuk ka qenë aspak e lehtë për të. “Por e di që ka qenë edhe më e vështirë për ata.

Është diçka që nuk do ta bëja as për një milion dollarë, por është diçka që nuk do ta ndërroja as me një milion dollarë”, tha i biri i Markut, derisa po i buzëqeshte fytyra nga gëzimi, tek e shikonte babain e tij.

Ndërkaq, vetë Marku, i cili me të arritur në vendlindje filloi të çmallej me familjarët, tha se para rreth një jave, kishte pranuar një letër nga ata.

“Ishte një listë me gjëra që ata do të mund të bënin kur unë të kthehesha në shtëpi”, thekson Marku, i cili tha i bindur se do të bëjë gjithçka në mënyrë që të kompensojë kohën e humbur me familjen.

“Do ta bëj një pushim familjar definitivisht, por kjo mund të presë, të paktën për momentin”, pohon ushtari Tibor. Sipas tij, kthimi në shtëpi ishte gjithçka për të cilën ai kishte ëndërruar. “Është fantastike. Edhe më mirë sesa e kisha menduar se do të ishte”, tha i emocionuar ai.

Sidoqoftë, Mark Tibor nuk ishte ushtari i vetëm që u largua nga Kosova, për t’u nisur drejt vendlindjes. Vetëm në muajin maj të këtij viti, rreth 150 ushtarë të tjerë janë kthyer në shtëpitë e tyre.
(Përktheu Lirita Halili)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›