E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku Kluks Klani është i gjallë në vitin 2009

Në këtë foto, anëtarët e organizatës famëkeqe raciste, Ku Kluks Klan, shfaqen ashtu siç duan të duken në sytë e njerëzve, të frikshëm, të fshehtë dhe në pritje të dështimit të Amerikës së Barak Obamës. Antoni Karen, ish-marins dhe fotograf autodidakt, arriti të hynte në sanktuaret më të fshehta të klanit. Ai nuk e tregon se si e arriti këtë, por ka fituar aq besim mes anëtarëve, sa është ftuar në shtëpitë e tyre dhe është lejuar të fotografojë ceremoninë më sekrete, siç është ajo e djegies së kryqit (një prej më famëkeqeve).

Kur flet për anëtarët e klanit ka prirjen të mos japë shpjegime për çfarë mendon për viktimat e tyre. Na shpie në një vend ku pak gazetarë kanë qenë më parë, në gojën e ujkut. Fotot e tij na shfaqin një Ku Kluks Klan më të butë, të paktën në dukje. Fotot portretizojnë një organizatë shumë më pak kërcënuese nga grupi i dikurshëm i urrejtjes, i ngulitur në imagjinatën amerikane.

Klani i sotëm është veç hija e asaj çfarë ishte dikur dhe ekzistojnë të paktën 34 grupe të klanit me emra të ndryshëm. "Bëhet fjalë për grupe njerëzish me të ardhura të pakta, të cilët i mbajnë paratë e donacioneve kryesisht për vete", thotë Mark Potok, drejtor i Projektit të Inteligjencës në Qendrën Ligjore të

Varfërisë në Alabama.

Por në të vërtetë, fotot e anëtarëve të klanit nuk janë aq të rralla. Arkivat e gazetave amerikane janë të mbushura me foto linçimesh të bëra gjatë shekullit të shkuar. Para tre vjetësh, vdiq Xheims Kamerun, i mbijetuari i fundit i përpjekjeve për linçime masive (për fat të mirë për motive natyrale).

Brezi i vjetër i afro-amerikanëve u rrit duke dëgjuar historitë e linçimeve të Ku Kluks Klanit në tavolinën e ngrënies, por pa i përmendur kurrë jashtë shtëpisë. Në kulmin e aktivitetit të Ku Kluks Klanit, pak para mbërritjes së shekullit XX, regjistroheshin rreth 30-40 linçime në vit. Mendohet se numri i vdekjeve të paregjistruara ishte shumë më i madh, veçanërisht në Jug, ku afro-amerikanët punonin në fushat e pambukut.

Fotot e Karenit tregojnë një organizatë krejt tjetër. Na tregon një grua 58-vjeçare, të quajtur "Zonja Ruth", e cila punon si rrobaqepëse për "Ciklopët e Ekzaltuar", krerët lokalë të Ku Kluks Klanit. Ajo paguhet 140 dollarë për një veshje. Karen tregon se paratë i duhen për të bijën kuadriplegjike, si pasojë e një aksidenti me makinë para dhjetë vjetësh.

Ndërkohë që numri i viktimave të shkaktuara nga urrejtja racore po shtohet në SHBA, në një çast kur shtresat e mesme dhe të varfra po mbeten pa punë. Teksa njerëzit humbasin shtëpitë prej krizës së kredive dhe e shohin veten të rrëshqasin drejt varfërisë, tërhiqen gjithnjë e më shumë drejt krimit, veçanërisht ai që shkaktohet nga urrejtja racore. Në shënjestër të kësaj urrejtjeje janë vënë veçanërisht emigrantët në Amerikën Qendrore dhe Jugore.

Kushdo që ka ndonjë dyshim për aftësinë e Ku Kluks Klanit modern për të kryer akte dhune nuk duhet të shkojë shumë larg, por t‘i referohet rastit të 43-vjeçares Sinthia Linç, nga Tusla e Oklahomës. Ajo nuk ishte larguar kurrë nga Oklahoma gjatë gjithë jetës dhe e bëri këtë për herë të parë me një udhëtim në Luiziana, ku shkoi për t‘u anëtarësuar në Ku Kluks Klan. Me të zbritur nga autobusi, takoi dy anëtarë të një grupi që e quan veten "Bijtë e Diksit", të cilët e shoqëruan në një fushë 90 kilometra larg nga Nju Orleansi.

Aty, pasi i rruajtën kokën dhe pas një dite e një nate në kamp, gjatë të cilave këngëtarët këndonin e rendnin me pishtarë në duar, ishte mërzitur e kishte kërkuar ta kthenin në qytet. Pas një diskutimi të ashpër, "Lordi i Madh", Chak Foster, mendohet se e qëlloi në kokë me armë zjarri. Ai është në gjykim e sipër me akuzën e vrasjes së shkallës së dytë. Po aq tronditës është edhe fakti që kjo ngjarje u zhvillua në Bogaluza, një qytet i Luizianës që dikur konsiderohej kryeqyteti i Ku Kluks Klanit në tërë Amerikën.

Në vitet gjashtëdhjetë, Klani vepronte aq hapur në Bogaluza sa një herë zhvilloi një mbledhje publike për të vendosur se cila kishë afro-amerikane e kishte radhën për t‘u djegur. U dyshua se anëtarët e klanit i ngritën pritë dy policëve me ngjyrë në vitin 1965, duke vrarë njërin e duke plagosur rëndë tjetrin. Askush nuk doli ndonjëherë para gjyqit për atë krim.

Pavarësisht famës, prej dekadash Ku Kluks Klani është kthyer në fantazmë të asaj që ishte dikur. Në kulmin e vet, organizata numëronte 4 milionë anëtarë dhe zotëronte poste guvernatorësh të dhe legjislatura të disa shteteve. Por që nga vitet tridhjetë ra në gjendje çorganizimi dhe sot, me shumë gjasa, nuk numëron më shumë se 6 mijë anëtarë.

Por kriza ekonomike dhe varfëria po i shtojnë radhët e tyre dhe që tani, vetëm një muaj pas ceremonisë zyrtare të Presidentit të parë afro-amerikan, atmosfera e harmonisë racore që solli me vete fitorja e Obamës ka nisur të shpërbëhet. "Nuk ka dyshim se gjërat do të përkeqësohen", thotë Potok. "Përbërësit janë që të gjithë aty: një ekonomi çalamane që me siguri do të bjerë edhe më shumë, nivele të larta emigracioni, mazhoranca e bardhë që shpejt do të kthehet në minorancë dhe një njeri me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë". Kohët e fundit janë regjistruar të paktën 400 incidente të lidhura me urrejtjen racore, vëren Potok, organizata e të cilit ka si detyrë nisjen e proceseve gjyqësore kundër grupeve të urrejtjes, me qëllim shkatërrimin e tyre financiar.

Vitin e shkuar, dy të rinj, të lidhur me një degë të Ku Kluks Klanit në Kentaki, u akuzuan për një komplot për vrasjen e 88 studentëve me ngjyrë. Ata kishin ndër mend gjithashtu të vrisnin edhe Presidentin Obama, duke e qëlluar nga një makinë ku do qëndronin të veshur me kostume të shtrenjta. Nuk patën kurrë sukses, falë masave të larta të sigurisë, por thjesht fakti që e menduan diçka të tillë mund të shërbejë si shenjë e keqe për të ardhmen.

"Zgjedhja e Obamës ka shkaktuar kundërefekte të tmerrshme", thotë Riçard Barret, lideri i Lëvizjes Nacionaliste, një tjetër grup i supremacisë së bardhë. "Shumë njerëz e shohin flamurin e Republikës së Re të Afrikës që qëndron sot në Shtëpinë e Bardhë si një provokim për luftë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›