E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vit për Lasgushin, Paskalin dhe Vaçe Zelën

Në ndryshim nga vitet e shkuara, 2009-a nuk do të mbajë vetëm emrin e një personaliteti të shquar të artit. Janë tre të tillë që do të kujtohen në përvjetorë ditëlindjesh. Poeti Lagush Poradeci për fushën e letrave, skulptori Odhise Paskali për artet figurative dhe Vaçe Zela për kontributet e interpretimit. Përgjatë vitit, për secilin mendohet të organizohen aktivitete përkujtimore. "Këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara, ku duke iu referuar përvjetorëve të ndryshëm të personaliteteve të artit dhe të kulturës, përzgjidhej emri që me veprën e tij kishte dhënë një ndikim të ndjeshëm në kulturën kombëtare, është menduar që ky vit të shënojë një kthesë sa i përket këtij momenti. Viti 2009 shënon një numër të konsiderueshëm përvjetorësh të personaliteteve të rëndësishme të artit në të gjitha gjinitë e tij.

Përzgjedhja e emrave ka qenë një përgjegjësi dhe vështirësi jo e pakët duke pasur parasysh rolin e pamatshëm që ka luajtur secili prej tyre në historinë e artit shqiptar", është shprehur në konferencën për shtyp drejtoresha e Artit në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Joli Eleni Gjoveku. Sipas saj, MTKRS do të realizojë përgjatë këtij viti projekte të posaçme dhe veprimtari të ndryshme kulturore në nderim të këtyre figurave. Ndonëse ende nuk ka një kalendar paraprak të veprimtarive që do të organizohen, specialistët shprehen se duke marrë parasysh fushat në të cilat kanë kontribuar të tre personalitetet, dihet natyra e aktiviteteve që do të organizohen. Në 110-vjetorin e lindjes së poetit Lagush Poradeci, në kujtim të tij por edhe në nder të veprës, do të ketë botime të reja, të cilat përfshijnë edhe një pjesë të panjohur deri më tani, të ruajtur në arkivat e familjes. Aktivitete të përqendruara kryesisht tek ekspozitat do të organizohen në 105-vjetorin e lindjes së skulptorit Odhise Paskali. Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar deri më datën 17 prill do të vazhdojë të qëndrojë e hapur ekspozita "Ringjallja e Paskalit", organizuar nën kujdesin e së bijës, Florianës. Për 70-vjetorin e Vaçe Zelës, e cila mundet t‘i presë vetë urimet e përvjetorit, mendohet se aktivitet do të kenë kryesisht karakter interpretativ të këngëve të saj. Ajo sot jeton në Zvicër e pamundur nga gjendja shëndetësore. Edhe pse përmes telefonit ka shprehur disa herë dëshirën për të ardhur në Shqipëri, edhe pse është përfolur për praninë e saj në një aktivitet që do të organizohet në Teatrin e Metropolit, nuk mund të thuhet me siguri nëse 70-vjetorin, këngëtarja do ta festojë në vendin dhe mes njerëzve të saj. Ndërkohë që drejtoresha e Artit në MTKRS është shprehur se për realizimin e këtyre aktiviteteve do të bashkëpunohet edhe me familjarët e tre personaliteteve të sipërpërmendura. "Ky bashkëpunim synon respektimin e të drejtës së autorit për veprën që do të promovohet si edhe evidentimin e vlerave të pazbuluara të veprës që ata përfaqësojnë, që ndodhet në arkivin e familjes për të paraqitur përmasën e duhur dhe evidentuar rolin e padiskutueshëm që ata kanë luajtur në kulturën kombëtare", është shprehur Gjoveku. Ndërkohë, mungesa e një kalendari paraprak është justifikuar edhe me hapësirat që u janë krijuar individëve për të paraqitur projekte aktivitetesh për këto tre personalitete. Viti 2008 mbajti emrin e Eqrem Çabejt në 100-vjetorin e tij të lindjes, ndonëse organizimi i aktiviteteve për të nuk është se ishin në nivelin më të mirë të mundshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›