Ku avulloi i madhi Kaka

Siç bëri të ditur sot rrjeti “Mediaset”, për shkak të dëmtimeve apo zgjedhjeve teknike, braziliani ka luajtur vetëm 36% të minutave të mundshme tek Reali, shumë pak për një futbollist të paguar për 67 milionë euro.
Si rrjedhojë, 70% e tifozëve madrilenë janë shprehur në një sondazh pro shitjes së lojtarit, të shndërruar në një “fantazmë” të vërtetë në “Santiago Bernabeu”.
Duke u ndalur tek statistikat, që prej mbërritjes në Madrid, Ricky ka patur në dispozicion për të luajtur 8 190 minuta, por ka qenë prezent në fushë për vetëm 2 958 prej tyre.
Për më tepër, Kaka është shndërruar edhe në një problem dëmtimesh. Nga tërheqjet muskulare, deri tek operacioni në gju që e la jashtë fushave për shtatë pesë muaj, braziliani duket gjithonë e më larg Madridit.
Për më tepër, vlera e tij aktuale në treg ka rënë midis 30-40 milionë eurove, ndërsa lista e skuadrave të interesuara bën që gjigantët spanjollë të mendojnë mirë për mundësinë e shitjes së lojtarit.
Kaka mund të shndërrohet në protagonist të një rikthimi të bujshëm tek Milani, ku presidenti Berlusconi ka pranuar ekzistencën e interesit nëse “Reali do të pranojë oferta”, por edhe Interi, Chelsea e Manchester City duken shumë të interesuar për brazilianin.