E Diel, 1 Nëntor 2026

Ku do të Shkojmë? Te “Klubi i Bilbilave të Europës”

Ndjenjat krijuese të Bashkimit Europian do të përkthehen në një të ardhme jo shumë të largët në një iniciativë tjetër të re që pritet të bëhet realitet në Shqipëri; krijimin e “Klubit të Bashkimit Europian”. Ishte Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Z. Ettore Sequi, i cili foli rreth kësaj iniciative në dy nga intervistat e tij më të fundit. Ai tha se ky Klub do të jetë i hapur për çdo Shqiptar.
Kjo duket një ide që i përshtatet së tepërmi Shqiptarëve duke marrë parasysh temperamentin e tyre. Ato pëlqejnë lajmet. Pëlqejnë ti komentojnë ato pa fund e të diskutojnë me pathos, të dalin në pah, të krijojmë shumë fraza nga një e vetme e në disa raste edhe të dëgjojmë me vëmendje. Me një fjalë, janë të dhënë pas debateve. Por mbi të gjitha, kjo ide përshtatet me ndjenjën që përshkon shpirtin e tyre – se e ardhmja e tyre është në Europë.
Ky Klub duket se do të jetë një vendtakim ideal për tu dhënë udhë shumë mendimeve nga shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe filtrimi i tyre do të jetë një material shumë i mirë për tu analizuar nga Brukseli.
Kjo iniciativë akoma në proces pritet me mjaft interes tek besohet se do ta çojë debatin rreth çështjeve për integrimin në një stad tjetër; atë të njohjes me shumë aspekte të integrimit që ndoshta dhe nuk janë tejçuar plotësisht tek shqiptarët deri më tani.
Një gjë e dimë mirë, që tani shqiptarët do ta frekuentojnë këtë Klub me mjaft interes. Por ama ato do të duan të dëgjojnë aty një gjuhë të thjeshtë, sepse atë të komplikuarën e kanë dëgjuar tash sa vite nga politikanët e tyre si edhe nga disa analistë aty këtu e në kanë kuptuar gjë…
Së fundmi një përfaqësues shqiptar në Bruksel, në përfundim të punimeve të Komitetit Shqipëri-BE, deklaroi për gazetarin: “Roli ynë ka qenë krucial dhe substancial në realizimin e reformave siç e deklaroi edhe Z. Stefano Sannino.” Një Zot e di,
se sa e kuptoi këtë fjali një fermer shqiptar, le të themi! Prandaj gjuha e thjeshtë e përdorur në debate të ndryshme do të jetë një aspekt i rëndësishëm për të mbajtur gjallë interesin e Shqiptarëve ndaj këtij Klubi.
Midis shumë arsyeve, ky Klub pritet me interes edhe për faktin se ai do të jetë një model komunikimi e veprimi në mënyrë kolektive. Sa e bukur është fjala “bashkë”! Aty fillon ndryshimi.
Në fund dikush mund të pyesë pse na duhet një Klub i tillë kur të gjithë pa përjashtim si në politikë e në shoqëri jemi në favor të integrimit. Pavarësisht mendimeve të ndryshme, sipas perceptimit tim, ky Klub do ti ngjajë një foleje bilbilash që po bëhen gati të nisen për një udhëtim të gjatë. Ata duhet të jenë tufë pikëse pari dhe mbi të gjitha të marrin më të mirën e mundshme para se të lëshohen në ajër. Ky tingëllon edhe qëllimi kryesor i këtij Klubi.
Derisa të vijë dita e shumëpritur që ky Klub të bëhet realitet e të kuptojmë shumë e më shumë gjëra të reja, mos harroni “Ku do të takohemi? Te “Klubi i Bilbilave të Europës!”

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›