Kuba dhe Venezuela, nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi
Kuba dhe Venezuela kanë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi për një shumë prej 3 miliardë dollarësh , duke vënë theksin edhe një herë mbi rolin Karakasit, si aleti më i ngushtë politik dhe tregtar i ishullit që drejtohet nga regjimi komunist. Venezuela, anëtare e OPEC, është bërë burim jetësor energjish dhe raportesh tregtare për Kubën në vitet e fundit dhe eksporton në vendin karaibik me probleme të mëdha financiare 98.000 fuçi naftë në ditë me kushte të favorshme ekonomike. "Kemi firmosur 264 kontrata për një total prej 2.9 miliardë dollarësh", tha në një bisedë të transmetuar në televizion Presidenti venezuelian Hugo Çavez, duke shtuar se edhe 20 marrëveshje të ngjashme priten të nënshkruhen deri në fund të muajit. Marrëveshjet e bashkëpunimit kanë lidhje me shëndetësinë, peshkimin, arsimimin dhe projekte sportive. Dy vendet do të formojnë të paktën shtatë shoqëri shtetërore të përbashkëta, për sheqerin, aluminin, transportin dhe industritë bujqësore. Kuba, që është krejtësisht e varur nga jashtë për karburant dhe ushqim, e paguan një pjesë të llogarisë së saj për naftën ndaj Venezuelës duke ofruar shërbimin e 40.000 mjekëve dhe profesionistëve të tjerë. Sipas ish-presidentit Fidel Kastro, nënshkrimi marrëveshjeve ishte ngjarje historike për të dyja vendet.