Iran, Khamenei: "Opozita do të eliminohet"
Me fjali direkte e të befasishme në një intervistë të dhënë për një televizion në vend, lideri shpirtëror i iranianëve, ajatollah Ali Khamenei është shprehur se "opozita do të eliminohet". Kështu i ka dhënë një sinjal të fortë forcave opozitare, që paralajmëron një aksion në shkallë të gjerë për njehsimin e funksionimit të një sistemi politik në vend. Prej disa kohësh, në vend qarkullojnë zëra për arrestimin e mundshëm të Mir Hossein Mousavi dhe krerëve të tjerë të protestës për të kërkuar që t‘i jepet fund manifestimeve në sheshe dhe në universitete. Edhe pse nuk i përmendi me emra, ajatollahu akuzoi këta liderë se "kanë dhunuar ligjin, duke organizuar revolta dhe inkurajuar njerëzit për t‘i bërë rezistencë regjimit të republikës islamike". "Nuk bëhet fjalë për gjëra të parëndësishme dhe e gjitha kjo që ka ndodhur u ka dhënë kurajë armiqve. Por këta janë si shkumë mbi ujë. Ajo që mbetet është sistemi. Opozita do të eliminohet para syve të kombit", tha udhëheqësi suprem i Iranit. Më tej ai foli edhe për zgjedhjet. "Çështja e zgjedhjeve ka përfunduar dhe për këtë nuk duhen më protesta. Ato ishin të ligjshme dhe askush nuk mundi të tregojë të kundërtën", tha Khamenei në një diskutim të transmetuar nga televizioni shtetëror, duke iu referuar akuzave për manipulime në opozitë. Ali Khamenei akuzoi edhe disidentët për djegien e një fotografie të ajatollahut Ruhollah Khomeini, themeluesit të republikës islamike. Nga ana tjetër, Garda Revolucionare e Iranit bëri thirrje sot për dënimin e demonstruesve që dogjën foto të ajatollahut të ndjerë.