Kubë, shpërthen epidemia e kolerës

Të paktën tre persona kanë vdekur dhe 53 të tjerë janë duke u trajtuar pasi u diagnistikuan me kolerë në ishullin e Kubës, konfirmuan të mërkurën burime zyrtare.
Epidemia ka shkaktuar një panik kombëtar, ndërsa gazeta “Granma”, organ i partisë komuniste në pushtet informoi se disa puse dhe burime të dyshuara si të ndotura janë mbyllur.
Nga ana e saj, Ministria Kubaneze e Shëndetësisë ka hedhur poshtë pretendimet e mediave perëndimore se ka një mungesë mjekimesh dhe fondesh për të luftuar epideminë.
”Situata është tërësisht nën kontroll dhe shërbimet spitalore janë duke i ofruar vëmendje të plotë dhe të mjaftueshme të gjithë pacientëve”, shkruhej në komunikatën e ministrisë.
Si masë paraprake, në të gjithë ujësjellësat e vendit është shtuar doza e klorit, i cili vret bakterin shkaktar për sëmundjen vdekjeprurëse.
Vatra e epidemisë është përqendruar në qytetin lindor të Manzanijos. Ekspertët vlerësojnë se kolera mund të ketë prekur ndërkohë deri disa mijëra banorë dhe se dhjetëra mijëra të tjerë janë të rrezikuar.