Kuçi: Amnisti për vepra penale e jo për etni të caktuara

Asnjëri nga projektligjet që do t’i dërgohen Kuvendit në javën në vazhdim nuk ka nene të veçanta që amniston ndonjë pjesë të caktuar të territorit të Kosovës. Të paktën, jo juridikisht. Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, që e ka siguruar KTV-ja, përmban vetëm 3 nene, atë që përcakton se pjesë e këtij projektligji janë: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë dhe Plani i zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Zëvendëskryeministri i Kosovës thotë se ky projektligj, megjithatë, do të shkoj në Kuvend në bazë të procedurave të rregullta. Ndërkohë, projektligji tjetër, ai për amnisti, do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës javën që vjen. Nëse i kërkohet, ministri i Drejtësisë është shprehur i gatshëm të japë sqarime shtesë në Komisionin për legjislacion. Kuçi ka shtuar se me këtë projektligj falen vepra penale, e jo etni të caktuara apo rajone të Kosovës. Në bazë të Planit për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit, miratimi i Ligjit për amnisti kërkohet që të bëhet deri në mesin e muajit qershor. Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shpjegon se nëse vendoset të amnistohen vepra të caktuar penale, ato duhet të vlejnë për të gjithë rajonin.
Në draftin e Projektligjit për amnisti që e ka siguruar Kohavisioni, përfshihet amnistimi i më shumë se 100 veprave penale. Megjithatë, në nenin 1 të këtij projektligji që përcaktohet qëllimi i tij sqarohet se ‘me këtë ligj rregullohen kushtet dhe procedurat e amnistisë për personat e dënuar për vepra penale të parapara me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”. Nga amnistimi janë përjashtuar personat e dënuar me burgim të përjetshëm dhe ata me më shumë se 20 vjet dënim./Indeksonline./