E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: Ligji për Amnisti nuk do të jetë vetëm për veriun

Derisa Këshilli i Grevistëve në Burgun e Dubravës i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që sa më parë të miratojnë dhe zbatojnë ligjin për amnisti dhe që kjo të mos përfshijë vetëm veriun, Ministria e Drejtësisë ka lëshuar një komnikatë që thotë se ky ligj nuk do ta përfshijë vetëm veriun por do të jetë i barabartë.

“Qëllimi i projektligjit është që amnistia të përfshije vepra të caktuara dhe jo një etnitet apo një pjesë të territorit, por çdo vepër e amnistuar do të jetë për çdo rast, respektivisht vepër dhe kryes pa dallime etnie dhe në çdo pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë komunikatë.

Sipas sqarimit të Ministrisë së Drejtësisë, nuk është menduar amnistia për një etni apo një pjesë të territorit (veriun e Republikës së Kosovës) dhe nuk mendohet as sot të ketë dallime etnie apo territoriale.
Ndërkaq pjesëtarë të Këshillit Grevist kishin kërkuar nga institucionet e Kosovës që mos të përsëritën padrejtësitë që kanë ndodhur në kohën e UNMIK-ut.

“Si vend i dal nga lufta me pasojat e saj kanë ndodhur shumë pa drejtësi gjatë ndërtimit të shtetit që nga UNMIK e deri me sot. Prandaj duke llogaritu pasojat e luftës gjendjen ekonomike në Kosovë dhe shumë probleme të tjera, jo vetëm se duhet të këtë amnisti, por në një masë të madhe të vendoset drejtësi”, ka thënë njëri prej këtyre përfaqësuesve. /Indeksonline./
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›