E Diel, 1 Nëntor 2026

Rast për vjedhje të reja në zgjedhje

Mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë po afrohet, ndërsa lista e votuesve vazhdon të ketë probleme serioze. Hapi i ndërmarrë për pastrimin e listës së votuesve me afro 30 mijë persona, duket hap minimal, krahasuar me afro 300 mijë persona, të cilët llogaritet se nuk janë votues potencialë, të cilët ende nuk janë larguar nga lista e votuesve, raporton KTV. Mospastrimi i tyre nga lista, sikurse në të kaluarën, edhe për këto zgjedhje po bëhet qëllimisht, në mënyrë që të krijohen mundësi për manipulimin e votave, vlerësojnë përfaqësuesit e partive politike.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Krasniqi i tha Kohavisionit se kështu po planifikohet të keqpërdoren votat edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të organizohen sivjet.

Ndërkohë, Florian Dushi, nga radhët e LDK-së, thotë se grupi punues pret që gjatë javës së ardhshme ta dorëzojë në Ministrinë e Punëve të Brendshme raportin përfundimtar të pastrimit të listës së votuesve.

Heqja e 300 mijë personave nga lista, si duket është e pamundshme edhe për zyrtarët e Agjencisë së Regjistrimit Civil, të cilët thonë se këta persona posedojnë dokumente të vjetra nga koha e UNMIK-ut.

Por, sipas kryeshefit ekzekutiv të kësaj agjencie, Abedin Mehmeti, në zgjedhjet e ardhshme do të mundohen që t’i heqin nga lista e votuesve sa më shumë persona.

Mirëpo, vullneti politik ka munguar edhe për hetimin e rasteve të krimit në zgjedhjet e vitit 2010.

IKD-ja, përmes një raporti, kishte kërkuar nga prokuroritë publike dhe Prokuroria Speciale e Kosovës që të shtrijnë hetimet edhe në drejtim të krimit të organizuar, ashtu që të gjejnë organizatorët e krimeve të zgjedhjeve, si për manipulimin e votave të kandidatëve, financimin e dyshimtë të partive politike, dështimin e llambave ultravjollce dhe ngjyrës së padukshme, si dhe listat e pasakta të votuesve.

Por, zyrtarët e organeve të ndjekjes thonë se nuk kanë zhvilluar hetime në këtë drejtim, por kanë hetuar dhe akuzuar kryesisht komisionarët e përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve, i ka thënë KTV-së Laura Pula, prokurore në Prokurorinë e Shtetit.

Edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë thënë se nuk ka pasur hetime të natyrave të tilla.

Për mungesën e veprimit institucional për të gjetur përgjegjësit për keqpërdorime në zgjedhje, përfaqësuesit e partive politike dyshojnë se në këtë aspekt është një lloj marrëveshje në mes të pushtetit ekzekutiv, gjyqësor dhe atij prokuroria./Indeksonline./ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›