Ministri Ismajli kundërshton BB-në, KE-në dhe shoqërinë civile

Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Shoqëria Civile nuk e kanë pritur mirë deklarimin e ministrit të ri të Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli për mundësinë e zgjatjes së jetës së termocentralit Kosova A deri në fillimin e punës së termocentralit Kosova e Re. Dy institucionet ndërkombëtarë kërkojnë nga qeveria që t’i qëndrojë besnike deklarimeve për mbyllje të këtij termocentrali. Shoqëria Civile, ndërkaq, thotë se mungesa e energjisë do të mund të evitohej po të kishte investime në energjinë e ripërtërishme, raporton Kohavisioni.Komisionin Evropian dhe Banka Botërore kanë këmbëngulur në mbylljen e termocentralit Kosova A, por edhe në gjetjen e një zgjidhje në lidhje me sigurimin e energjisë deri në prodhim të energjisë nga Kosova e Re.
Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Jan-Peter Olters tha se Kosova si nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë është pajtuar të përmbushë standardet mjedisore të BE-së deri më 2017, që do të kërkonte dekomisionimin e Kosovës A. “Gjithsesi nga ana e Bankës Botërore, Kosovës i është komunikuar shumë qartë se çfarëdo konsiderate e operimit të njëkohshëm të Kosovës A dhe Kosovës së Re do të konsiderohej shkelje e mirëbesimit dhe do të prishte bazën e bashkëpunimit në këtë sektor dhe në sektorët e tjerë. Çfarëdo dileme potenciale sa i takon sekuencës së ndërtimit të impiantit energjetik Kosova e Re dhe dekomisionimit të Kosovës A-financimin e së cilës e ka ofruar BE-ja gjatë konferencës së paradokohshme të donatorëve-do të duhej të adresohej ndaras dhe të dakordohej në një kontekst multilateral”, tha Olters.
Komisioni Evropian ka sqaruar se ka dhënë fonde të shumta për të siguruar energji të mjaftueshme në Kosovë dhe se institucionet duhet t’i qëndrojnë përkushtimeve ndërkombëtare të dhëna më herët.
Zëdhënësi i Zyrës së KE-së në vendin tonë, Stojan Pelko i tha KTV-së: “BE-ja e ka përkrahur vazhdimisht importin e rrymës në Kosovë në të shkuarën dhe ka investuar shuma të konsiderueshme për përmirësimet teknike si rehabilitimi i Kosova B, në sistemin e transmisionit etj, në mënyrë që importimet kaq urgjente të mos jenë më të nevojshme. Kosova e ka bërë një përkushtim të qartë ndërkombëtar që ta mbyllë Kosovën A. Ky ishte po ashtu parakusht për marrje të përkrahjes nga Banka Botërore si përpjekje për të ndërtuar një central të ri. Kosova kishte dhe ka më shumë se mjaftueshëm kohë për të planifikuar ndërtimin e centralit të ri e që do të rastiste me përkushtimet ndërkombëtare lidhur me Kosovën A”.
Shoqëria civile e sheh të dëmshme tendencën e zgjatjes së operimit të termocentralit Kosova A, meqë, sipas tyre kjo mund të evitohet me investime në energjinë e ripërtërishme.
Sipas tyre, ministri Ismajli po tenton të aplikojë planin e AKR-së, e cila parasheh të realizohen investime në termocentralin Kosova A dhe me këtë hap t’i zgjatet jeta këtij termocentrali.
Agron Demi nga instituti GAP thotë se sipas të dhënave të vet KEK-ut, termocentrali Kosova A ka prodhuar vitin e kaluar 2 milionë e 107 mijë e 736 megavatë energji.