Kuçi: Gjykatat do të marrin në dorë fatin e sheshit Skënderbej

Paligjshmëria e punimeve në sheshin “Skënderbej” nga ana e Bashkisë së Tiranës duhet të zgjidhet nga gjykatat. Kjo është deklarata që bëri dje këshilltari i Kryeministrit Berisha për çështjet e Territorit dhe Pronave, Flamur Kuçi, në një prononcim për gazetën. Duke folur për punimet që Bashkia e Tiranës ka nisur në qëndër të kryeqytetit, Kucci shprehet qartë se ligji parashikon bllokimin e punimeve dhe vendosjen e procesit në hullit gjyqësore. “Ligji është i qartë në ketë drejtim. Në kushtet e paligjshmërisë së punimeve në ndërtim, tërësia e akteve ligjore që rregullojnë veprimtarinë, sugjerojnë bllokimin e punimeve dhe futjen e procesit në një shtrat ligjor”, thekson këshilltari i kryeministrit. Në lidhje me situatën aktuale ai thekson se Bashkia e Tiranës është e interesuar që rindërtimi i sheshit “Skënderbej” të gjenerojë në një konflikt mes palëve dhe t’i jap strehë politike mosrespektimit të ligjit. Sipas Kuçit, në debatin i cili prej javësh është bërë temë qendrore e mediave, qeveria po tregohet e matur për të shmangur edhe keqpërdorimin e këtij konflikti nga ana e kryebashkiakut Edi Rama.
“Bashkia Tiranë është e interesuar në gjenerimin e një ‘konflikti’ që do t' i jepte strehë ‘politike’ mosrespektimit të ligjit. Nga ana tjetër, për vetë sensibilitetin që ka çështja në fjalë, instancat shtetërore po tregohen të matura dhe të kujdesshme në vlerësimin ligjor të çdo aspekti, veprimi dhe ndërhyrjeje, në mënyrë që të evitohet çdo keqinterpretim keqdashës i ndërhyrjes së instancave shtetërore në këtë proces”, thekson këshilltari i Kryeministrit. Sipas tij, qeveria ka kërkuar të bëjë edhe financimin e sheshit, duke dashur ta nxjerrë këtë situatë jashtë çdo retorike politike. Por sipas Kuçit, ajo që po bën kryebashkiaku Rama me ndërtimet që ka filluar në shesh është vetëm “show” i radhës nga ana e tij. “Fatkeqësisht, Bashkia Tiranë, e ndodhur çdo herë një hap prapa në këtë proces, ka preferuar të bëjë shoë-n e radhës, duke prodhuar në mënyrë artificiale më shumë retorikë për këtë çështje, se sa punë”, vlerëson Flamur Kuçi. Sipas tij, problematika e projektit të bashkisë që po zbatohet aktualisht në shesh shtrihet në disa plane, në dimensionin ligjor dhe institucional, në dimensionin profesional dhe atë politik e qytetar. Në lidhje me aspektin ligjor të këtij konflikti, këshilltari i Kryeministrit sqaron se qendra e Tiranës ka një studim ekzistues në fuqi, të quajtur “Plani Francez”, i cili ka marrë miratimin nga ana e KRTRSh-së. Por sipas Kuçit, projekti i ri që po zbatohet dhe që quhet “Plani Belg” e ndryshon rrënjësisht studimin francez dhe për këtë arsye është e nevojshme që këto ndryshime të miratohen në KRTRSh. Për sa i përket aspektit profesional dhe përmbajtësor të këtij plani, Kuçi thekson se sheshi në variantin e paraqitur nga Bashkia Tiranë nuk kujdeset që qendra e qytetit të krijojë shërbime të tilla që e bëjnë këtë qendër atraktive. Sipas tij, një tjetër çështje problematike që lidhet me këtë rrafsh është edhe i trafikut të Tiranës, të cilit bashkia ende nuk i ka dhënë ndonjë zgjidhje. Në lidhje me dimensionin politik dhe qytetar të këtij sheshi, këshilltari i Kryeministrit Berisha shpjegon se modeli që po paraqet Bashkia e Tiranës edhe në këtë rast është ai i formës pa përmbajtje. Sipas Kuçit, ky model po i heq një nga një me një shpejtësi të rrufeshme, sipërfaqet e gjelbra të qytetit, duke i betonizuar Tiranës mushkëritë. Sipas Kuçit, qytetarët e Tiranës duhet të kuptojnë se ky model duhet të marrë fund njëherë e mirë.
#