Karburantet: Tatimet po na godasin pa të drejtë për pajisjet fiskale
Gjobat e shumta në drejtim të subjekteve në fushën e hidrokarbureve, për sa i takon procesit të kasave, e kanë detyruar shoqatën ta ngrejë zërin dhe të sqarojë se kujt i takon përgjegjësia për krijimin e ngërçit. Pas rasteve të shumta dhe protestave në Berat, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve kundërshton metodat arbitrare dhe abuzive mbi të cilat administrata tatimore po synon të realizojë objektivat e saj në fushën e implementimit të projektit për fiskalizimin e tregut të hidrokarbureve. “Në mënyrë paradoksale me vendimet e njëpasnjëshme të qeverisë, me njëanshmëri të theksuar, nga Ministria e Financave janë përzgjedhur kompanitë që duhet të bëjnë fiskalizimin, është caktuar edhe lloji i pajisjes fiskale dhe skema e implementimit (skemë e lloj që nuk gjendet askund në ndonjë nga vendet e BE-së, e huazuar nuk e dimë se nga ç’lloj shteti). Nga pesë shoqëri që janë zgjedhur për fiskalizim, këtë lloj pajisje fiskale e ofron vetëm një prej tyre, por edhe kjo shoqëri nuk e implementon dot në praktikë, duke nxjerrë pretendime për llojin e pompave dhe duke e shtyrë procesin kohë pas kohe”, u shpreh dje shoqata. Sipas tyre, kompanive u caktohet lloji i pajisjes dhe shitësi ku duhet ta blejnë, ndërsa në të njëjtën kohë “kur vetë shitësi nuk i përgjigjet dot kësaj lloj pajisjeje, ai ka të drejtën të vendosë çfarëdo lloj çmimi shitjeje, sepse është pa konkurrencë në treg”.
Ata i paraqesin Ministrisë së Financave disa kërkesa që duhet të marrin zgjidhje sa më shpejt. “Meqë pajisjet fiskale i shërbejnë administrimit fiskal, përgjegjësinë për vendosjen e tyre duhet ta marrë DPT (theksojmë se në shumë vende perëndimore kostoja e fiskalizimit është përballuar nga vetë ministritë e Financave, duke ua zbritur kompanive që fiskalizohen nga tatim-fitimi i tyre)”, është një nga propozimet, duke shtuar edhe tjetrin, që “Ministria e Financave dhe DPT të zgjedhin vetë kush do t’i implementojë dhe vendosë kasat dhe përgjegjësinë në vijimësi ta kenë këto shoqëri të autorizuara dhe të mbikëqyrura nga Ministria e Financave”.
Shoqëritë e karburanteve janë të gatshme dhe po krijojnë kushte për të implementuar procesin dhe nëse gjykohet se pagesën duhet ta përballojnë këto shoqëri, ta bëjnë pranë DPT dhe jo në llogarinë e shoqërive të autorizuara për fiskalizim.
#