E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Konsultimet e dobishme

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, përmend dy arsye kryesore që e shtynë të kërkojë rishqyrtim të koalicionit qeveritar me partnerin më të vogël, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ne kemi vërejtur se ka pasur shkarje prej LDKsë nga marrëveshja e vitit 2007, sipas së cilës në zgjedhjet lokale 2009 dhe në zgjedhjet nacionale do të duhej të shkonim të vetëm, ka thënë ai.

Kritikat e vazhdueshme ndaj Qeverisë gjatë garës për pushtet lokal nga ana e zyrtarëve të LDKsë, si dhe paralajmërimi i tyre për ndryshime në koalicionin qeveritar në nivel vendi, ka qenë arsyeja tjetër që ka shtyrë PDKnë të kërkojë shqyrtim të partneritetit me LDKnë. Ka pasur një lloj politike që të kritikohet shtëpia ku hanë bukë, me fjalë tjera - Qeveria. Ne kemi menduar që ka pasur nevojë për një rishqyrtim, që është normale.

Kërkesa për rishqyrtim kemi pasur disa herë nga partneri, i cili edhe publikisht e ka thënë këtë, është shprehur Kuçi, në një bisedë telefonike me Express, të shtunën. Ai ka vlerësuar se takimet konsultative mes liderëve të PDKsë dhe LDKsë që janë mbajtur të premten, i kanë bërë mirë koalicionit. Kemi parë gjendjen ekzistuese dhe është qëndrim i përbashkët i dy kryesive të dy partive që të vazhdohet me koalicionin, natyrisht të rishikohet edhe gjendja momentale.

Kjo është bërë më e madhe, pasi është kohë e fushatës elektorale, por është normale që partnerët e koalicionit, ashtu si anëtarët e një familjeje, ta shikojnë gjendjen që e kanë.
Dy partitë janë pajtuar që për balotazh mund të krijojnë koalicione me cilindo subjekt politik, megjithëse para dy vitesh ishin marrë vesh që ta garojnë vetëm.

"Jemi marrë vesh që secili prej nesh të provojë të jetë më atraktiv në komunat e caktuara, ka theksuar Kuçi, duke konfirmuar se tani edhe PDK do të kërkojë aleatë për raundin e dytë të votimeve. Marrëveshja është riforcuar. Për çdo rast, ne do të jemi këtu dhe do ti zgjidhim çështjet konform normave, por nuk punojmë me dilema. Ne mendojmë se tani i besojmë këtij koalicioni dhe vazhdojmë të punojmë në këtë koalicion, ka thënë ai.

Zyrtari i lartë i PDKsë dhe i Qeverisë qendrore pret që tash e tutje dy partitë do të jenë të kujdesshme në raport me koalicionin. Unë besoj se të gjithë do të jemi më të kujdesshëm që të ruhet koalicioni ashtu siç duhet.

Dhe po ashtu besoj që njerëzit nuk do të jenë në gjendje ta mohojnë atë shtëpi ku e hanë bukën. Qeveria ka qenë dhe është shtëpi e dy partive, PDK dhe LDK, si dhe e partnerëve tjerë të koalicionit. Kuçi ka folur edhe për rolin e diplomatëve ndërkombëtarë gjatë konsultimeve të së premtes.

Dua të them se ata kanë qenë shumë korrektë dhe nuk kanë bërë ndërhyrje direkte, e mbi të gjitha edhe këtë proces e kanë vlerësuar si një proces demokratik. Ata vijnë nga vende demokratike dhe i kuptojnë edhe këto veprime. Kjo është normale të diskutohet. Ne e dimë që në fushatë mund të bëhet më e madhe. Por, ky nuk është një pretekst që të sulmohet koalicioni, ka thënë ai.

LDK tashmë ka lidhur marrëveshje koalicioni me AAKnë në Prizren, Gjilan dhe Dragash, ku shpreson ti sfidojë kandidatët e PDKsë. Nënkryetari Kuçi beson se partia e tij do të ngadhënjejë në të gjitha komunat në balotazh.

Unë besoj se prej 16 komunave që konkurrojmë, në 14 jemi në avantazh, domethënë, jemi partia e parë dhe jemi dukshëm më të mirë se të tjerët, ndokund deri në 20 për qind. Besimi i qytetarëve do të jetë plotësisht në anën e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës në vendet ku garojmë, ka thënë ai.

Mirëpo, në katër komuna - Klinë, Obiliq, Vushtrri dhe Therandë - Partia Demokratike e Kosovës nuk do të ndeshet me partnerin e koalicionit, por me AAKnë. Kundër AAKsë do garojë edhe LDKja, në Istog. Lidhur me pritjet që partitë të cilat e kanë ndërtuar Qeverinë e Kosovës ta mbështesin njëra-tjetrën në këto komuna, Kuçi nuk jep përgjigje të qartë.

Besoj se ka qenë një qartësim i duhur për lëvizjen e mëtejme. Po e përsëris se nuk është diçka që ka ndodhur jashtë limitimeve të demokracisë, përkundrazi, sa herë që mund të ketë ndonjë paqartësi njerëzit duhet të diskutojnë. Ne kemi diskutuar dhe tani besoj që gjërat janë të qarta.

Dridhjen e parë të koalicionit qeveritar që nga krijimi i tij në dhjetor të vitit 2007, partitë opozitare e kanë shfrytëzuar për të bërë thirrje për mbajtjen e parakohshme të zgjedhjeve të përgjithshme. Nënkryetari i PDKsë nuk sheh arsye për këtë, por thekson se partia e tij është e gatshme për çdo lloj situate.

Ata këtë gjë janë duke e thënë që dy vite. Nuk asnjë arsye që të ndodhë një gjë e tillë, por në cilindo rast Partia Demokratike e Kosovës do ti përgjigjet realitetit. E rëndësishme është që secili prej nesh ti respektojë vendimet që do ti marrë KZAP. Dhe më 13 dhjetor ta vazhdojmë procesin në mënyrë të qetë dhe demokratike, ashtu që ai të jetë edhe një simbolikë e mirë për vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›