E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Nëse dikush prodhon kriza, do t’i përgjigjemi

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, gjatë një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, i ka komentuar deklaratat e fundit të pushtetarëve serbë në Beograd, duke thënë se ato tashmë nuk përbëjnë kurrfarë rreziku për Kosovën, por përbëjnë rrezik për ta.

Kuçi theksoi se nuk janë të prirë që të krijojmë kriza, por nëse dikush prodhon kriza, ai ka thënë se do t’i kundërpërgjigjen.

“Mendoj se të gjithë jemi dëshmitarë se deklaratat e tilla i kanë sjellë shumë dhunë deri në shkallë të gjenocidit edhe popullit të Kosovës, por edhe rajonit, që është prodhuar nga qarqet e njëjta, prej njerëzve të njëjtë në politikën e Beogradit. Është një fat i madh që Kosova e ka tejkaluar këtë fazë edhe me përkushtimin e qytetarëve, por edhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar. Ato deklarata nuk paraqesim më rrezik për Kosovën, ato deklarata paraqesin rrezik për politikën serbe dhe për popullin serb, se çfarë mentaliteti politik kanë ata në Serbi. Sido që të jetë, Kosova do të jetë e matshme në reagimin e saj, nuk do të bëjmë inercion negativ, por, sikur e kam thënë një ditë, nuk do të prodhojmë kriza. Por nëse dikush prodhon kriza, ne do t’i përgjigjemi atyre krizave”, ka thënë ai.

Mirëpo, i pyetur nga gazetarët lidhur me fillimin e dialogut me Serbinë, ai ka thënë se fillimisht duhet të implementohen marrëveshjet që janë arritur deri më tash dhe pastaj Kosova do të marrë çdo vendim në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Fillimisht duhet të implementohen të arriturat që kanë qenë deri më tani, pastaj Kosova do ta merr çdo vendim në përputhje me kushtetutën dhe në partneritet të plotë me ShBA-në. Sovraniteti i Kosovës, pavarësia e Kosovës, tërësia territoriale e Kosovës nuk negociohet me askënd, është punë e kryer”, ka thënë ai.

Ai është pyetur edhe për raportin e fundit të EULEX-it, i cili thotë se vrasjet e pasluftës të zyrtarëve të LDK-së janë bërë me motive politike në të cilat janë të përfshirë njerëzit e PDK-së, Kuçi nuk ka dashur të komentojë shumë, duke thënë se puna e rendit dhe ligjit është punë e pavarur.

“Puna e rendit dhe ligjit është një punë e pavarur, duhet ta bëjnë dhe t’i kryejnë punët e veta të gjitha. Çdo veprim kriminal që është kryer në këtë vend lë të shikojnë dhe le t’i kryejnë punët e tyre. Puna më e mirë në hetuesi bëhet kur nuk flitet në opinion, por punohet në praktikë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, lidhur me mosdiskutimin e pikës së rendit të ditës së mbledhjes së Qeverisë për Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale, Kuçi është arsyetuar duke thënë se i është dhënë edhe një javë kohë organizatave joqeveritare për të sjellë vërejtjet e tyre.

“I kam dhanë edhe një javë mundësi organizatave joqeveritare me pru vërejtje. Në debatin që e kemi pas me ata, i kam lut një javë dhe vetëm një organizatë joqeveritare ka pru vërejtje. Po i ftoj edhe sot, e kanë afatin deri në ditën e hënë dhe ju e dini që mbi 90 për qind të vërejtjeve të tyre i kam pranuar dhe ata janë korit njëherë kur kanë thënë se po dalim prej grupit, jo s’po dalim. Asnjëherë gjatë bisedave nuk duhet të kemi hidhërime, kemi debate natyrisht. Tani është një ligj i mirë, i përputhshëm plotësisht me kriteret e BE-së dhe e kam mbështetjen e plotë të ekspertëve amerikanë dhe të BE-së”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›