Kuçi dhe policia reagojnë ndaj deklaratës së Mustafës

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi kërkoi të premten nga kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa që të bashkëpunojë me organet, të cilat sipas tij mundohen të vënë rregull dhe ligj në Kosovë, e jo t`i akuzojë ato.
Këto komente zëvendëskryeministri Kuçi i bërë pas akuzave që kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa i ka bërë të enjten gjatë një konference për media, kur ka thënë se njerëzit e SHIK-ut janë transferuar brenda institucioneve të Kosovës dhe në këtë mënyrë po e marrin rolin e ngrirjes së shtetit përmes krijimit të një shteti policor
Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri Kuçi nuk ka folur për veprimtarin e SHIK-ut dhe për dosje që ky shërbim mund t`i ketë pasur.
I pyetur nëse Qeveria e Kosovës i ka marrë bashkë me çelësat dhe zyrat SHIK-ut dhe dinë edhe për dokumentet e këtij shërbim, Kuçi tha se nuk di gjë për këto dosje dhe i lejohet edhe atij të mos dijë disa çështje.
Edhe Policia e Kosovës ka shprehur keqardhje dhe ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, i cili ka adresuar akuza në adresë të Policisë, duke thënë se përmes njerëzve të SHIK-ut është duke bërë shantazhe politike dhe duke dërguar në vazhdimësi forca policore kinse për hetime brenda komunës së Prishtinës.
Policia e Kosovës përmes një reagimi për media theksoi se këto deklarata vijnë në kohën kur Policia ka shënuar rezultatet të mira në luftimin e të gjitha formave të krimit në veçanti kundër krimeve ekonomike.
Sipas tyre, Policia e Kosovës është e pavarur në punën e saj dhe nuk do të ndikohet nga asnjë presion i çfarëdo natyre dhe pavarësisht se nga kush vjen.
Më tej në reagim thuhet se Policia e Kosovës deri më tani ka punuar me autoritetet komunale në Prishtinë duke ofruar asistencë dhe përkrahje të ndërsjellë dhe besojë se kjo do të vazhdojë edhe më në të ardhmen.
“Ne i ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë në luftimin e të gjitha veprave kriminale që bien ndesh me ligjet e Kosovës. Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët se do vazhdoj të ushtroj detyrat e saj si garantues i zbatimit të ligjit në përputhje me mandatin dhe përgjegjësinë që i takon duke ruajtur pavarësinë operacionale të saj”, thuhet në reagim.