Kuçi:Ska amnisti vetëm për serbët
Kuvendi i Kosovës pritet që të enjten ta shqyrtojë Ligjin për amnistinë, ndwrsa qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi garanton se nuk do të ketë amnisti vetëm për serbët e veriut.
Dilemat e krijuara ditëve të fundit se me Ligjin për amnistinë do të amnistohen serbët e veriut, të cilët kanë kryer vepra penale, i ka hequr të martën numri dy i ekzekutivit, Hajredin Kuçi.
Ky ligj nuk amniston dhe nuk do të amnistojë asnjëherë vrasje të personave zyrtarë, në cilëndo fazë që ka ndodhë apo edhe të qytetarëve të tjerë, natyrisht këtu e kam fjalën në veçanti kur mendohet për vrasjet me karakter qoftë etnik, personave zyrtarë politikë apo të çështjeve të tjera. Nuk është menduar të ketë amnisti vetëm për shqiptarët, sikur që sot nuk do të mendohet që nuk do të ketë amnisti vetëm për serbët, ka thënë ai.
I dyti i qeverisë tha të mërkurën para anëtarëve të kabinetit qeverisës se të gjithë kryesit e veprave penale të listuar në këtë ligj që kanë kryer vepër para 20 qershorit 2013, lirimi i plotë apo i pjesshëm nga ekzekutimi i dënimit do të jetë në përputhje me kushtet e parapara me këtë ligj.
E di që pritjet mund të jenë më të mëdha nga njerëzit që janë në dënim apo persona që mund të jenë në ndjekje penale, por po ashtu e di që ky Ligj për amnisti garanton respektimin e plotë të barazisë para ligjit të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh etnicitetin e tyre apo territorin ku ata jetojnë dhe banojnë qoftë tash apo më herët, ka thënë Kuçi, i cili ka siguruar se Ligji për amnisti është në harmoni edhe me Bashkimin Evropian.
Ai ka sqaruar se më këtë ligj janë të parapara kushtet dhe procedurat se për cilat raste jepet amnistia për personat që janë të dënuar për një vepër penale, ata që janë në ndjekje për veprat penale të kryera para datës 20 qershor 2013, por që siç tha ai, këtu janë përfshirë edhe personat kundër të cilëve akoma nuk është ngritur ndonjë aktakuzë apo kundër të cilëve ende nuk ka filluar ndjekja penale, të cilët deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij projektligji gjenden në mbajtje të dënimit në Kosovë apo jashtë saj.
Më lejoni të them se me 20 për qind nga ekzekutimi i dënimit, do të lirohen 45 vepra, të cilat janë të listuara dhe besoj do të jenë shumë shpejt për opinionin publik. Çështja tjetër është për personat që janë dënuar për herë të parë me 3 muaj, ne kemi menduar që ata persona të lirohen në tërësi nga ekzekutimi i dënimit me burg. Ndërsa për personat që janë të dënuar për herë të parë prej 3-6 muaj, kemi menduar që tu falet dënimi për 50 për qind, kurse për personat e moshës mbi 65 vjeçare, duhet të lirohen nga ekzekutimi me 25 për qind të dënimit të shqiptuar me burgim, ka thënë Kuçi. Sipas tij, cilido person që ka marrë pjesë në huliganizëm, vepra penale apo çështje të tjera dhe ka rezultuar me lëndim trupor të ndonjë individi apo me vdekje, nuk do të amnistohet.
Ai tha se personat që janë dënuar me burgim pa kusht më tepër se dy herë dhe nuk është bërë shtyrja e dënimit të tyre, nuk do të përfshihen në amnisti, derisa theksoi se kundër këtij vendimi, ka të drejtë që të bëhet në Gjykatën e Apelit gjithmonë ankesë.