KRRT-ja e Elbasanit kërkon rivlerësimin e tokës
Në mbledhjen e zhvilluar nga KRRT-ja e Qarkut të Elbasanit u diskutuan çështje të rëndësishme për titujt e pronësisë. Një sërë problematikash u ngritën në këtë takim, ku vlen për t’u theksuar vlerësimi i kategorizimit të tokave. Sipas kryetarit të Këshillit të Qarkut, Blendi Himçi, janë bërë abuzime në vlerësimin e tokave. Himçi kërkoi rivlerësimin e tokave, pasi parcelat bujqësore janë vlerësuar si të kategorisë së gjashtë dhe si të tilla shiten me çmime të lira, ku realisht ky lloj kategorizimi u takon tokave argjile, shkëmbore, malore. Një tjetër problematikë e shfaqur në këtë mbledhje ishin edhe investimet pa kriter në tokat bujqësore. “Po zvogëlohen dita-ditës tokat bujqësore dhe ne po kryejmë një krim, duke ngritur dorën për investime”, - theksoi kryetari Himçi. Por, anëtarët e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Qarkut kërkuan që fshatrat në qark të futen në sistemin e regjistrimit të pronave të tyre, në mënyrë të tillë që të mos ndërtohen objekte pa leje. Ky proces duhet të fillojë menjëherë, pasi banorët e fshatrave nuk mund të rrinë vite të tëra pa kryer investime, pasi kjo është një domosdoshmëri për ata. Një problem tjetër që vlen për t’u theksuar është edhe realizimi i hartave. Drejtori i ALUIZNI-t, Ditor Musai, u shpreh se hartat janë të deformuara, pasi janë ndarë sipas fshatarëve me litar dhe nuk janë teknike. Nanila Allkja