E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufizimet e dyanshme të Turqisë dhe Izraelit

07-09-2011 / Nju Jork Tajms

Një raport i Kombeve të Bashkuara për sulmin izraelit të vitit të kaluar në anijen humanitare me destinim Gazën duhej të ketë qenë një shans për zbutjen e marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet Izraelit dhe Turqisë. Por në vend të zbutjes, të dyja shtetet u zhytën në mosmarrëveshje edhe më të thella. Kombet e Bashkuara për një kohë të gjatë ushtronin presion mbi Izraelin, ndërsa liderët izraelitë fillimisht i rezistonin hetimit të pavarur mbi bastisjen që la të vdekur tetë turq dhe një turko-amerikan. Raporti i publikuar të premten dukej rigoroz. Ai bëri të ditur se bllokada detare izraelite e Gazës është ligjore dhe se komandot izraelite që u zbarkuan në anije janë vetëmbrojtur karshi një “rezistence të organizuar dhe të dhunshme”. Mirëpo ai thotë edhe se forca e përdorur nga izraelitët ishte “e tepruar dhe e paarsyeshme”. Shumica e të vrarëve ishin qëlluar për vdekje shumë herë. Flota, e cila lundronte nga porti turk me pranimin e heshtur të Qeverisë turke, ishte fajësuar për veprime “nga pakujdesia” në sfidimin e bllokadës. Raporti po ashtu thotë se pala turke “mund të kishte bërë më shumë” për të bindur organizatorët që të shmangnin një përplasje me forcat izraelite.
Turqia hodhi poshtë raportin, duke e dëbuar ambasadorin izraelit dhe duke shpallur se do të ngrijë marrëdhëniet ushtarake derisa Izraeli të mos kërkojë falje për të vdekurit dhe t’i kompensonte familjet e viktimave. Vendi ka kërkuar po ashtu që Izraeli t’i japë fund bllokadës dhe që OKB-ja ta vërë në raft raportin e vet. Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, ka paralajmëruar se Ankaraja “do të ndërmarrë të gjitha masat parandaluese që i konsideron të domosdoshme” për të mbrojtur anijet e saj në lindje të Mesdheut. Ai nuk ka shpjeguar, por edhe gjë e papërgjegjshme që madje të lihet të kuptohet se Turqia, një aleate e NATO-s, mund të kërkojë mundësi për ta konfrontuar Izraelin ushtarakisht. Izraeli e ka pranuar raportin e OKB-së dhe ka thënë se ka shpresuar në përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë, por ka insistuar se nuk do të kërkojë falje. Dy javë më parë, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Rodham Clinton, ka nxitur kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që t’i kërkojë falje Turqisë. Zyrtarët amerikanë tash duhet që të bëjnë përpjekje të ngjashme me të dyja palët. Ne nuk e fajësojmë Izraelin për faktin se pyetet nëse Turqia po e vazhdon këtë konflikt për ta lustruar pozitën e vet në botën arabe. Turqia po rrezikon së tepërmi, përfshirë këtu edhe miliardat nga tregtia me Izraelin dhe reputacionin e vet si një aktor i përgjegjshëm ndërkombëtar. Izraelit, nga ana e vet, padyshim se nuk i duhet izolimi edhe më i madh se sa ai aktual. Izraeli duhet të kërkojë falje për vdekjet. Dhe Turqia duhet të ndalojë së rrezikuari për të fituar një pozitë më të mirë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›