“Brenda kalendarit të mbetur, opozita të tregojë sinjale maturie”
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu
Mazhoranca e dhe opozita të dëshmojnë pjekuri në parlament duke miratuar ligjet me shumicë të cilësuar votash në kalendarin e parë të punimeve të Kuvendit në sezonin që ka nisur. Ky është apeli i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, një muaj përpara se Bashkimi Europian të publikojë progres-raportin për Shqipërinë.
Ministrja Bregu iu përgjigj dje interesit të medias lidhur me mundësinë që Shqipëria ka për të marrë statusin e vendit kandidat për këtë vit pas takimit që pati me zëvendëskryeministren e Maqedonisë për çështjet e integrimit, Teuta Arifin.
Ministrja Bregu vlerëson rikthimin e socialistëve në Kuvend duke i kërkuar atyre që brenda tri muajve të miratojnë ligjet me 3/5.
“Fatkeqësisht dy vjet bllokim i ligjeve të rëndësishme të cilat do ta klasifikonin Shqipërinë një hap më tutje për sa i përket integrimit europian dhe dy vjet përpjekje të cilat kanë dëmtuar realisht zbatimin e kriterit politik, një nga kriteret kryesore të Kopenhagenit nuk mund të jenë të krahasueshëm vetëm me një muaj përpjekje”, tha Majlinda Bregu, ministre e Integrimit.
Megjithatë, ajo nuk i ka humbur shpresat për statusin e Shqipërisë vend kandidat.
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, duke iu përgjigjur pyetjes për pjesëmarrjen e opozitës në parlament deklaroi se, “kontributi i opozitës duhet të vazhdojë të jetë një ecje përpara. Ka një axhendë, e cila është pjesë e një plani veprimi prej 12 pikash që KE, i ka prezantuar në Shqipëri. Shpresoj që brenda kalendarit, të gjitha këto ligje të miratohen për të treguar sinjal maturie të opozitës dhe të forcave politike shqiptare”, theksoi Bregu.
Në takim u bisedua për forcimin e qëndrimeve konstruktive të Shqipërisë dhe Maqedonisë për integrimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të BE me vendet e rajonit.
Sipas tyre, pragmatizmi nëpërmjet projekteve konkrete mundëson realizimin e projekteve të përbashkëta te dy vendeve dhe rajonit.