E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes me Veriun

Qeveria e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare duhet të kenë kujdes me pjesën veriore të Kosovës dhe të mos marrin veprime të dhunshme që mund të kenë ndikim në destabilizimin e situatës.

Ky konstatim është nxjerrë në debatin për marrëdhënie etnike, ku kanë marrë pjesë Kryeministri Kosovës, Hashim Thaçi, Ambasadori i SHBA’së, Christopher Dell dhe zyrtarë të komuniteteve nga komunat e reja.

Udhëheqësja e projektit për Marrëdhënie etnike, Livia Plaks, ka këshilluar institucionet vendore dhe ndërkombëtare të kenë kujdes në veprimet e tyre për shtrirjen e autoritetet në veri të Kosovës.

“Besoj se Veriu mund të jetë problem dhe duhet të trajtohet me shumë kujdes nga autoritetet e Kosovës, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, ka porositur Plaks.

“Në Kosovë ende nuk i jemi larguar rrezikut të destabilitetit, por jemi në shtegun e duhur dhe jemi duke bërë përparim çdo ditë”, ka konstatuar Plaks.
Ajo ka sqaruar se strukturat paralele kanë humbur ndikimin e tyre, sidomos pas zgjedhjeve të fundit lokale.

“Strukturat paralele nuk janë më kërcënim për Kosovën”, ka thënë Plaks, e cila ka folur për perspektivën e komunave të reja.

Plaks ka këshilluar institucionet vendore dhe ndërkombëtare të investojnë në komunat e reja dhe të ndihmojnë komunitete të integrohen në shtetin e Kosovës.

Ndihmë për komunat e reja kanë premtuar Kryeministri Hashim Thaci dhe Ambasadori i SHBA’së, Christopher Dell.

“Jam takuar me katër kryetarët e zgjedhur, edhe bashkërisht, edhe veçanërisht dhe ua kam shprehur mbështetjen time të plotë, edhe personale, edhe si Qeveri e Kosovës për një bashkëpunim shumë të ngushtë për realizimin e objektivave dhe projekteve të cilat janë të nevojshme për qytetarët në komunat përkatëse”, ka thënë Thaçi.

“Qeveria e Kosovës dhe unë tash kemi partnerë me mandat demokratik dhe legjitim për të implementuar projektet në të mirë të komuniteteve lokale”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se procesi i decentralizimit dhe krijimit të komunave të reja po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në çështjen e të drejtave, mbrojtjen dhe zhvillimin e komuniteteve.

Edhe Ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Christopher Dell, ka ofruar mbështetjen e Qeverisë amerikane për komunat e reja.

”Mund të them me bindje të thellë se shoqëria e Kosovës ka bërë një përparim të madh në zbatimin e standardeve demokratike të përfaqësimit dhe respektimit të të drejtave të pjesëtarëve jo shumicë”, ka thënë Dell në takimin e mbajtur të mërkurën.

“Jam i bindur se Kosova është një trajektore pozitive dhe jeta për pakicat e Kosovës po përmirësohet çdo ditë”, ka vlerësuar ai.

Ai ka dhënë këshilla për Qeverinë e Kosovës.

“Qeveria duhet të sigurojë bartjen në kohë të kompetencave. Krimet, siç janë ndërtimet joligjore që e kanë lënduar Kosovën, si dhe respektimi i sundimit të ligjit, duhet të trajtohet në të gjitha nivelet e qeverisë”, ka porositur Dell.

Megjithëkëtë, deputeti serb në Kuvendin e Kosovës, Petar Miletic ka thënë se pakicës serbe i duhet ndihma direkte e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

“Kur them mbështetje konkrete mendoj në projektet të cilat vetë ata do t’i paraqesin. Me këtë të dëshmohet se motivi i daljes në zgjedhje nuk ka qenë vetëm interes personal, siç është thënë në disa qarqe, por se motivi ka qenë vërtet përmirësimi i kushteve të jetës në lokalitetet ku janë zgjedhur ata”, ka shtuar ai.

Projekti për marrëdhënie është duke u implementuar në Kosovë me ndihmën e Zyrës së Qeverisë së SHBA’së në Kosovë – USAID. Në këtë grup marrin pjesë zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe diskutojnë për progresin e arritur për integrimin e pakicave në shoqërinë kosovare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›