Rrëzohet Tahiri
-490x320.jpg)
Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) që në Gjilan të organizohet rivotim i ri për kreun e Komunës.
Në një seancë të mbajtur të martën, Gjykata Supreme ka anuluar pjesën e vendimit të KZAP’së që udhëzonte KQZ’në që përveç Prizrenit dhe Lipjanit, edhe në komunën e Gjilanit të përsëritej balotazhi për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës.
Vendimi për anulim është marrë pas padisë së kandidatit të PDK’së për Kryetar të Gjilanit, Qemajl Mustafa kundër aktvendimit të KZAP’së.
“Gjykata Supreme pasi shqyrtoi vendimin e kundërshtuar (vendimin e KZAP’së) dhe të gjitha shkresat e kësaj çështjeje si dhe pas vlerësimit të thënieve në padi, gjeti se padia (e Qemajl Mustafës) është e bazuar”, thuhet në vendimin gjyqësor.
Gjykata Supreme ka konstatuar se aktvendimi i KZAP’së përmban të meta për shkak të të cilave nuk mund të shqyrtohet ligjshmëria e tij.
Në arsyetimin e aktvendimit të KZAP’së nuk është paraqitur shpjegimi i gjendjes së vërtetuar faktike.
“Në arsyetimin e vendimit të KZAP’së thuhet se ai në bazë të rezultateve të hetimeve ka përcaktuar se ka pasur ‘mashtrime dhe vjedhje të mëdha të votave në komunën e Gjilanit’. Nga arsyetimi nuk shihet se çfarë hetimesh ka zhvilluar KZAP’ja dhe si i ka zhvilluar ato. Veç kësaj, nuk vihet në dukje qoftë edhe një provë e vetme për atë se si ka ardhur në përfundimin se në komunën e Gjilanit ka pasur parregullsi në procedurën e votimit për kryetar të kësaj komune”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
Kjo gjykatë ka kërkuar nga KZAP’ja që të bëjë shpjegimin e gjendjes së vërtetuar faktike, të cekë arsyet përcaktuese me rastin e vlerësimit të provave dhe të saktësojë se në cilat dispozita materiale e ka bazuar vendimin e vet.
Vendimin që për kryetar të Gjilanit të votohet edhe një herë, KZAP e ka marrë më 19 dhjetor, në bazë të hetimeve të dy ndërkombëtarëve, njëri i OSBE’së dhe tjetri i IFES’it.
Kryetari i KZAP’it, Tahir Rreci, ka mbrojtur me këmbëngulje këtë vendim megjithëse ka deklaruar se nuk kishe verifikuar paraprakisht të gjeturat e dy konsulentëve ndërkombëtar të cilët nuk punojnë më në KZAP.
Mulë Desku, Shef i Sekretariatit të KZAP’së, ka konfirmuar për Express se vendimi i Gjykatës Supreme ka arritur të mërkurën në zyrat e këtij institucioni.
“Ne do të respektojmë dhe zbatojmë çdo vendim të Gjykatës Supreme”, ka thënë ai.
Ndryshe, për rastin e Gjilanit në Gjykatën Supreme është edhe një padi tjetër, për të cilën ende nuk ka vendim. Kandidati i LDK’së, Fatmir Rexhepi, ka paditur KQZ’në për shkak nuk ka përfillur udhëzimin e KZAP’së që të rivotohet edhe në Gjilan. Në vend të kësaj, KQZ’ja ka urdhëruar rinumërim dhe hetim të materialit zgjedhor të Gjilanit. Me këtë proces, i mbikëqyrur nga vëzhgues të partive politike, vëzhgues ndërkombëtarë dhe të OJQ’ve vendore ka konstatuar se vetëm 14 vota janë të parregullta.
Megjithëkëtë, raporti me këto të dhëna nuk është aprovuar në KQZ, sepse i ka munguar një votë. Abstenimi i Kryetares së KQZ’së, Nesrin Lushta, e ktheu Gjilanin në pikën zero.
Komisioni Qendror për Zgjedhje ka marrë vendimin e Gjykatës Supreme të mërkurën pasdite. Këtë të premte KQZ’ja ka mbledhje ku do të diskutohet për vendimin e Gjykatës. Sipas burimeve të gazetës, nëse KZAP’ja nuk del me fakte të reja për të mbrojtur aktvendimin e vet për balotazh të ri në Gjilan, atëherë për KQZ’në do të duhej të mjaftojë vendimi i gjykatës që të konfirmojë fitoren e Qemajl Mustafës.
Kandidati i PDK’së ka thënë se as ai, as struktura e partisë në Gjilan nuk janë ekzaltuar nga vendimi i Gjykatës, sepse e kanë ditur që janë fitues.
“Nuk është ndonjë lajm i ri. Çdo vendim tjetër i Gjykatës Supreme do të ishte lajm i ri dhe në dëm të vullnetit të lirë të qytetarëve të komunës dhe në dëm të demokracisë”, ka thënë Mustafa për Express.
Ai thotë se Gjykata Supreme ka dërguar një mesazh të qartë se në Kosovë, megjithatë, ka dhe po ndërtohen institucione të pavarura.
“Ka dështuar KZAP’ja, ka dështuar KQZ’ja dhe është gjetur një instancë tjetër, e cila e ka korrigjuar gabimin e tyre”.
Mustafa shprehet se LDK’ja dhe kandidati i saj, Fatmir Rexhepi duhet t’u kërkojnë falje publike qetarëve të komunës së Gjilanit “për maltretim dymujor psikologjik që iu kanë bërë të gjithë qytetarëve të komunës dhe për ngecjet e zhvillimeve në komunë gjatë kësaj periudhe”.
Ai pret që shumë shpejt të zyrtarizohet si kryetar komune për katër vitet e ardhshme.
“KQZ’ja do të duhej menjëherë që të mbajë seancën në të cilën do të votohet në favor të certifikimit të zgjedhjeve në Gjilan dhe unë besoj se kjo do të ndodhë së shpejti”, ka thënë Qemajl Mustafa.
Nga ana tjetër, Expressi ka kontaktuar zyrtarë të lartë të LDK’së, por ata nuk kanë pranuar të komentojnë aktgjykimin për Gjilanin me arsyetimin se ende nuk e kanë në dorë vendimin e Gjykatës.