E Enjte, 5 Nëntor 2026

15 vjet të marrëveshjes CEFTA

Dhjetori i këtij viti shënon vitin  e 15-të të tregtisë rajonale në kuadër të CEFTA, marrëveshjes së tregtisë së lirë të 7 vendeve të Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkanit.

Qëllimi i marrëveshjës ka qënë afrimi i rajonit të Ballkanit me tregun e vetëm të Bashkimit Europian. CEFTA shënon këtë muaj 15 vjet tregti me vendet e rajonit. 

Studimet kanë treguar se kontributi i CEFTA-s në eksportin e palëve vlerësohet ndërmjet 40% dhe 80%. Vlejnë të theksohen rregullat e ndryshuara të origjinës, vendimi për lehtësimin e tregtisë elektronike, për njohjen e programeve dhe kualifikimeve profesionale të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar, vendimit për heqjen e detyrimit për leje pune për furnizuesit e shërbimeve dhe transfertat brenda kompanive deri edhe te korsitë e gjelbra, duke siguruar një qarkullim më të shpejtë dhe më të sigurt të mallrave thelbësore. 

Në këtë një dekadë e gjysëm, gjithsesi nuk është bërë e mundur të shtrihet ky bashkëpunim tregtar me atë në shtetet fqinje, anëtare të BE-së.

Mbetet ende i parealizuar shkëmbimi i certifikatave të nevojshme për zhdoganimin e mallrave, shkëmbimi i shpejtë i informacionit për dërgesat që nuk përputhen me kafshët dhe mallrat me qëllimin përfundimtar të mbrojtjes së konsumatorëve.

Vështirësi kanë shoqëruar procesin në zbatimin e Strategjisë së CEFTA-s për Menaxhimin e Riskut Doganor, si dhe programet e njohjes që synojnë të integrojnë 7 tregje në një, duke siguruar akses efikas dhe të lirë për 20 milionë konsumatorë dhe ekonomi të konsoliduar prej 120 miliardë dollarësh.

Shqipëria, si palë në marrëveshjen e CEFTA-s, ka punuar për të rishikuar kuadrin e brendshëm ligjor, në mënyrë që të eliminojë barrierat për të gjitha bizneset, që ato të kenë mundësi të shesin online në tregjet e vendeve të CEFTA-s, sikurse dhe konsumatori të jetë i mbrojtur. 

Sot, rreth 25% e tregtisë së CEFTA-s është tregtia ndër-rajonale dhe rreth 75% për pjesën tjetër të botës, kryesisht me BE-në. Nga data 1 Shtator 2021 Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që filloi të zbatojë rregullat tranzitore të origjinës të Konvenës Pan-Euro-Mesdhetare.

Nisma “Ballkani i Hapur” nuk mund të paralelizohet me CEFTA, pasi në këtë të fundit Komisioni Europian është mbikqyrësi i marrëveshjeve që vendosin standarte dhe direktiva për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›