E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes nga Qiproja

Shqipëria do ta nisë aventurën në kualifikimet për Botërorin ‘Brazili 2014’ të premten kundër Qipros. Gianni De Biasi ua ka tërhequr vërejtjen futbollistëve që mos t’i nënçmojnë qipriotët, edhe pse i kanë mposhtur më herët me rezultat të thellë 6:1. Sipas trajnerit italian, Shqipëria nuk do ta ketë të lehtë përballë Qipros, e cila kohëve të fundit ka përparuar.

Kombëtarja e Shqipërisë të hënën në Durrës ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet, kundër Qipros dhe Zvicrës, që do të zhvillohen në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin botëror ‘Brazili 2014’.

Ndeshjen e parë eliminatore shqiptarët do ta zhvillojnë të premten, para tifozëve të tyre kundër Qipros, të cilën më herët në një takim miqësor e kishte mposhtur me rezultat bindës 6:1. Njëherësh, kjo ishte fitorja më e thellë që e kishte shënuar ekipi kuqezi në historinë e vet.

Megjithatë, selektori i Shqipërisë, Gianni De Biasi thotë se skuadra e tij nuk duhet ta nënçmojë Qipron. Sipas tij, Qiproja nuk është më ajo skuadër që Shqipëria e kishte mposhtur me aq lehtësi, por shumë më e fortë, saqë mund t’i lërë gjithë shqiptarët gojëhapur.

“Qiproja nuk është më ajo e rezultatit 6:1. Nuk është rastësi që e ka pasur një skuadër befasuese në Ligën e Kampionëve. Është në gjendje të mirë dhe tashmë ka organizim të mirë të lojës. Por, edhe ne nuk jemi më ajo skuadër që e kemi fituar 6:1 Qipron”, ka deklaruar strategu italian në konferencë për media të hënën.

“Duhet ta bazojmë lojën në vrap, në shpejtësi, në manovrime të shpejta. Jemi në muajin shtator dhe për lojtarët veç sa kanë filluar kampionatet, andaj duhet të mbështetemi më shumë te gjendja fizike dhe ajo teknike e tyre”, ka theksuar ai.

Vetëm katër ditë pas përballjes me Qipron, Shqipëria do të udhëtojë drejt Luzernit, për ta zhvilluar takimin e dytë kualifikues ndaj Zvicrës, për të cilën do të luajnë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi.

De Biasi thotë se tashmë i ka analizuar edhe detajet e këtyre dy kundërshtarëve të parë të ekipit kuqezi.

“Kam pasur kohë për t’i studiuar të dy ekipet, Qipron e Zvicrën. Në mentalitetin e tifozëve, Qiproja duket kundërshtar i lehtë, por faktikisht është kundërshtar i vështirë, agresiv, futbollistët e të cilit vrapojnë shumë. Do të punojmë fort për ta marrë të premten një rezultat të rëndësishëm”, ka përfunduar ai.

Për këto dy ndeshje, trajneri italian për herë të parë në ekipin kuqezi ka ftuar dy mesfushorë kosovarë, Alban Mehën (Paderborn) dhe Urim Kukelin (Zurich). Përveç Qipros dhe Zvicrës, kuqezinjtë do të kenë punë edhe me Norvegjinë, Slloveninë e Islandën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›