Drenica ‘kërcënon’ Prishtinën

Kampioni aktual, Prishtina e ka nisur furishëm edicionin e ri. Bardhekaltrit e kanë filluar shumë mirë aventurën për mbrojtjen e titullit të kampionit, ngase aktualisht është ekipi i vetëm i Superligës që e ka fituar maksimumin e pikëve, në tri xhirot e para të kampionatit të ri.
Aktualisht kryeqytetasit prijnë në renditjen tabelore me 9 pikë, pasi ka triumfuar në tri duelet e deritanishme përballë Trepçës, Vëllaznimit e Lirisë.
Kështu, po befason për të mirë trajneri Ejup Mehmeti – Kapiti, i cili gjatë verës kishte ardhur nga Gjermania për ta drejtuar skuadrën bardhekaltër.
Madje, Kapiti nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq. Serinë e fitoreve ai synon ta vazhdojë edhe të martën, kur ekipi i tij do të luaj ënë shtëpi përballë Drenicës, në kuadër të xhiros së katërt.
“Realisht e kam pritur një fillim të tillë. Pata planifikuar që në start t’i tubojmë 12 pikë. Deri më tash i kemi mbledhur 9 pikë dhe jemi në rrugë të mirë ta arrijmë qëllimin. Kjo pasi përballë Drenicës unë jam shumë i bindur se do të fitojmë, madje me një lojë edhe më të mirë sesa ato të kaluarat”, deklaroi Kapiti për Express.
“Nuk do ta kemi lehtë përballë Drenicës. Lehtë nuk e kishim as në tri ndeshjet e kaluara, në të cilat detajet kanë vendosur. Megjithatë, unë pres fitore të merituar përballë kuqezinjve”, shtoi ai.
Por, këtë hov fantastik Prishtinës do të mundohet t’ia ndalë Drenica, e cila deri më tani i ka tubuar katër pikë, me një fitore, një barazim e një humbje.
“Mund të them se Prishtina është klubi më i madh dhe më i famshmi në Kosovë. I njëjtë po dëshmohet edhe sivjet, pasi i ka tri fitore në tri ndeshje, kurse ne i kemi fituar katër pikë prej tri ndeshjeve. Por, tradicionalisht ne gjithmonë kemi luajtur mirë ndaj Prishtinës dhe shumë shpesh kemi fituar pikë. Andaj, jam optimist se edhe kësaj here do ta nxjerrim një rezultat pozitiv”, tha strategu i kuqezinjve, Tahir Lushtaku.
Ky është takimi i vetëm që zhvillohet të martën, derisa tri ndeshje të tjera të xhiros së katërt do të zhvillohen të mërkurën, kurse dy të tjera të enjten.
Mt: Klubet pro katër gjyqtarëve
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri të hënën e ka zhvilluar një takim me përfaqësues të klubeve të Superligës. Me këtë rast, Vokrri dhe përfaqësuesit e klubeve janë pajtuar që nga xhiroja e pestë në ndeshjet e Superligës të jenë prezentë nga katër gjyqtarë: tre në krye të detyrës, kurse një tjetër rezervist.
Mirëpo, Vokrri me përfaqësuesit e klubeve kanë vendosur që mos ta jetësojnë propozimin e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së që nga ky kampionat një gjyqtar ta ndajë drejtësinë në një ndeshje, në të cilën luan ekipi i qytetit të njëjtë prej nga vjen edhe vetë referi. Sipas tyre, në Kosovë ende nuk janë pjekur kushtet për ta jetësuar këtë propozim.
Superliga – Xhiroja e katërt
E martë
Prishtina – Drenica
E mërkurë
Vëllaznimi – Liria
Trepça – Hysi
Hajvalia – Besa
E enjte
LL. Kosova – Drita
Ferronikeli - Trepça 89
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 16:00