Kujt i duhet presidenti?!
Këto ditë, ndërsa i hidhet ndonjë shkarpë e lagur (sa për tym) zjarrit të mekur të debatit mbi ndryshimet kushtetuese, edhe kjo, ironikisht, më shumë nga ata që i frikohen ndryshimit, sesa nga pala tjetër që shpreson të marrë një të ngrohtë prej këtij zjarri, subkoshiencialisht realiteti që jetojmë mu asociua me atë të imagjinuarin në satirën orwelliane të Fermës së kafshëve. Kafshët e fermës kishin gjithashtu Kushtetutën e tyre (7 Urdhëresat) që, përpara revizionimit prej derrave, përmbante një nen (nr. 7), i cili do të nderonte edhe njerëzit: Të gjitha kafshët janë krijuar të barabarta. Më pas, me ndryshimet kushtetuese (çparalele e dhimbshme dhe qesharake termash…!), ky postulat hyjnor (por, sidoqoftë, utopik) u shndërrua në: Të gjitha kafshët janë krijuar të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat.(!)
Nejse, kthehemi te debati… . Dëgjova Kryeministrin të thoshte që ne (Ne, populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë …, kështu nis Kushtetuta, apo jo?) nuk preokupohemi shumë nëse Presidenti zgjidhet me 5/6 apo 7/5 e Kuvendit, përkundrazi, preokupimi ynë kryesor është rroga, pensioni, rruga dhe më madhori është viza. Eh, po, fatkeqësisht, vërtet ka shqiptarë që, për shkak të varfërisë dhe keqedukimit, interes të tyre të parë (dikush edhe të vetëm) kanë një thes miell e dy pako makarona (kujtoj ish-kreun e opozitës, Berisha, 1997-2005, ndërsa akuzonte një kandidate socialiste për blerjen e votës me thasë me miell atëkohë…), por, fatmirësisht, ka edhe shqiptarë të tjerë, gjithnjë e më të shumtë në numër, që shkojnë përtej kërkesave materialiste. Paradoksalisht, vetë Berisha thuhet se punon çdo ditë për orë të tëra që të na rrisë mirëqenien, duke na rritur kështu automatikisht nevojën për vlera të një lloji tjetër metafizike, përtej rrogës e rrugës. Është evolucioni njerëzor, askush nuk mund ta ndalojë, veç ta vonojë a përshpejtojë. Njerëzit duan gjithmonë më shumë!
Qytetarët e këtij vendi po formësojnë përditë vetëdijen e tyre dhe ndihen në masë të pakënaqur me cilësinë e demokracisë së aplikuar, e cila është një surrogat i atyre perëndimore. Heqja e vizave po luan rolin e saj në lidhje me këtë, gjithashtu. Ndër intelektualët dhe profesionistët e së drejtës është e vendosur bindja se edhe ndryshimet kushtetuese ndihmuan në përkeqësimin e strukturës politike e kushtetuese. Duke i dhënë në letër mundësinë potenciale maxhorancës qeverisëse (të cilësdo ngjyre) të zgjedhë Presidentin e Republikës vetëm me votat e saj (gjysma plus një e deputetëve të Kuvendit), amendamentet kushtetuese të prillit 2008 ishin një shkelm demokratik në të ndenjurat njomëzake të Republikës së shqiptarëve. Në fakt, ndryshimi shkon në favor të demokracisë klasike, asaj ku shumica vendos në emër të të gjithëve, duke mos marrë absolutisht në konsideratë vullnetin e minorancave apo të individëve të paangazhuar. Pak kohë më parë, kësaj forme të qeverisjes i thërrisnim diktatura e proletariatit. Në teorinë perëndimore e gjejmë në togfjalëshin diktatura e shumicës ose bandokracia. Siç shkruante Medison-i që në 1789-n: Tirania e legjislatorëve është aktualisht ankthi më i frikshëm dhe do të jetë i tillë për shumë vite. Ajo e Ekzekutivit do të vijë në vijim, në një kohë të mëvonshme. Pikërisht për arsye të tilla të larta, me largpamësi, themeluesit e rendit të ri botëror (pjesë e të cilit po rropatemi të bëhemi) zgjodhën Republikën kundrejt Demokracisë, duke e kufizuar vullnetin shtypës të shumicave periodike përmes një kontrate madhore e vështirë të ndryshueshme (që e quajtën Kushtetutë), ku u sanksionuan të drejtat dhe detyrimet e pushteteve, ndarja e balancimi i tyre dhe, mbi të gjitha, një shportë (pa fund) lirish e të drejtash të padhunueshme, që njerëzit i gëzojnë thjesht e vetëm se lindin të tillë.
Në mënyrë që kontrata të respektohej dhe që (në fjalët e Lord Acton) pushtetit (cilitdo), i cili ka tendencë të korruptojë, e që kur është absolut ka tendencë të korruptojë absolutisht, ti vihen kufizime në ushtrim, u krijuan edhe mekanizmat e garancisë dhe kontrollit. Mësimet e nxjerra nga mynxyrat e Luftës së II Botërore dhe mënyra se si fashistët dhe nazistët erdhën në pushtet (duke përfituar dhe manipuluar nga dhe me demokracinë), përpunuan akoma më tej strukturat mbrojtëse që, metaforikisht, do ti lidhin duart demokracisë, në mënyrë që në kohëra turbullta, ajo të mos mbysë veten me duart e saj. E pra, kreu i shtetit (Presidenti) është një prej këtyre mekanizmave!
Ai është garant i Kushtetutës dhe, bashkë me Gjykatën Kushtetuese që është mbrojtësja e saj, kanë për funksion e mision racionalizimin e vullnetit të shumicave parlamentare, në mënyrë që të ruajnë Republikën kushtetuese nga ekseset e demokracisë. Janë disa mekanizmat me të cilët Kushtetuta e ka pajisur Presidentin e Republikës në ushtrim të kësaj detyre. Formati i këtij shkrimi nuk na lejon ti trajtojmë gjatë, por po përmend vetëm një prej tyre: mundësinë/të drejtën e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin në rast krize. P.sh., neni 96 i Kushtetutës përcakton se Presidenti i Republikës, …, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Çfarë mund të duket për dikë si blasfemi (e madje deri edhe injorancë e autorit të këtyre fjalëve), është plotësisht e pranuar nga e drejta kushtetuese perëndimore se, Presidenti mund të refuzojë të emërojë si Kryeministër individin e propozuar nga një koalicion, i cili qartësisht kontraston me votën e shumicës së popullit në zgjedhje. Kjo pasi në ushtrim të kompetencave të tij, Presidenti ka detyrimin të garantojë që vullneti popullor të prevalojë ndaj vullnetit parlamentar. Nëse dikush në këtë pikë do të ngrinte paralele me koalicionin mes PD e LSI në Parlament, me pretendimin se ai është një bashkim votash i pavotuar (si i tillë) nga shumica e shqiptarëve në 2009-n, e rrjedhimisht në thelb antidemokratik, personalisht gjykoj se ky koalicion nuk do të mund të refuzohej nga cilido President i Republikës, pasi në këtë rastin tonë pa rrugëdalje, kreu i shtetit do të vihej përballë dy kërkesave: a) funksionimit të qeverisjes së vendit dhe b) përputhshmërisë mes vullnetit të deputetëve dhe atij të popullit, ku logjikisht do të merrte prioritet e para. Them logjikisht për shkak të produktit absurd që kushtëzon ligji ynë elektoral (sikundër është), i cili edhe në hipotezën e shpërndarjes së Kuvendit nga Presidenti (duke i dhënë përparësi kërkesës së dytë), sërish do të sillte të njëjtat numra e ngjyra në Parlament. Zgjedhjet vendore sapo e vërtetuan këtë.
U zgjata disi me këtë prerogativë presidenciale për të treguar se Presidenti duhet, ai i duhet popullit dhe i duhet i tillë që, bashkë me Gjykatën Kushtetuese, të garantojnë e mbrojnë të drejtat e çdo shqiptari, vlerat demokratike dhe kushtetuese kur këto kërcënohen nga ligje të Parlamentit, akte të Ekzekutivit dhe manovra politike të paprincipta.
Presidenti që, potencialisht në letër, mund të zgjidhet vetëm me votat e maxhorancës qeverisëse në Kuvend nuk është Presidenti që do të mund të kryejë misionin e paraparë për të nga Kushtetuta kur e ka konsideruar Kryetar të shtetit dhe përfaqësues të unitetit të popullit(neni 86, pika 1). Formula aktuale e zgjedhjes së Presidentit, e prezantuar me amendamentet kushtetuese të prillit 2008, është në kundërshtim me parimet kryesore kushtetuese, që janë edhe kolonat mbajtëse të Republikës. Presidenti është përzgjedhur nga Kushtetuta si përfaqësues i unitetit të popullit pikërisht në kuptim të mënyrës se si zgjidhej deri dje, pra me votën pro të 3/5 të deputetëve, të cilët (në mënyrë abstrakte) përfaqësojnë 3/5 e vendit pra, një shumicë tepër të madhe të shqiptarëve, e jo ngushtësisht gjysmën plus një (votë) të tyre. Jo, një funksionar i tillë, që zgjidhe
