E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta e Çakejve, nisin të shqyejnë njëri-tjetrin!

Pas bombardimit që ndërkombëtarët dhe lideri i mazhorancës Sali Berisha i bënë opozitës gjatë këtyre dy viteve, duke e zbythur në pushime fundjave e softe, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Përsëritja e serialit të frikshëm të periudhës 2002-2005. Akuza, kundër-akuza, vrasje mafioze mes bandave, eliminim të krerëve kriminalë, biznesmenëve. Shenjat e para janë dhënë prej vitit të kaluar dhe po intensifikohen së tepërmi muajt e fundit pas vjedhjes së mandatit të Tiranës.

Mazhoranca dhe Sali Berisha e ka kapërcyer lumin Edi Rama dhe as që e llogarit fare liderin e opozitës. Për të kuptuar këtë mjafton të shikojmë deklaratat e Berishës gjatë muajve korrik-shtator të këtij viti. Nga rekordi i notit, tek bejtet për editorialet e Edi Ramës. Nga kokrra e ullirit dhe kanalet vaditëse, tek pemët jofrutore që duhen shartuar dhe kthyer në frutore!!!. Nga ulja e moshës së pensionit për deputetin Kastriot Islami me shokë, tek rritja e moshës së pensionit për qytetarët e thjeshtë, nga 65 në 70 për burra dhe nga 60 në 65 për gra. Dhe e fundit fare, kur ambasadori amerikan fliste për luftë ndaj korrupsionit sepse shteti po gllabërohet nga mafia shtetërore, Berisha i përgjigjet me karagjozllëk. të heqim varrezat e makinave dhe të pastrojmë vendin!.

Të gjitha këto janë jo lajthitje, por shpoti e tallje siç bënte dikur mbreti Zog me shqiptarët deri sa i varfëroi dhe grabiti deri në pikën e fundit të pasurisë. Është e njëjta sjellje e kryeministrit aktual, me prapavijë të një mbështetje prej dorës së zezë të huaj që do zbulohet shumë shpejt dhe do e marrë me vete sikurse Gadafin në Libi. Por deri atëherë shqiptarët po shijojnë neverinë e deklaratave të kryeministrit, që po tallet nga mëngjesi në darkë me qytetarët, sepse tani nuk i ka mbet asgjë tjetër. Nga ana tjetër opozita pothuajse është dorëzuar, sepse në të vërtetë shqiptarët e meritojnë këtë sjellje të opozitës, pasi kur Rama gërthiste se po vidhej vota, të gjithë thoshin e bënë për karrige. Kur gërthiste po grabitet buxheti, të gjithë thoshin se ai gënjen. Kurse sot kur ua thotë Berisha se presim krizën më të thellë, asnjë nuk reagon, por heshtin. Kur Rama alarmonte për skemat e pensioneve, mashtrimet me sigurimet, papunësinë në rritje, të gjithë qeshnin duke e quajtur të çmendur. Kjo sepse kryeministri kishte dëbuar FMN-në, deklaronte shifra të rreme të rritjes ekonomike dhe bënte rrush e kumbulla paratë e buxhetit për zgjedhjet elektorale dhe lokale. Kurse sot të gjithë po kuptojnë realitetin, u ka rënë cipa që i pengonte të shikonin gjëmën ekonomike, por është shumë vonë. Sepse Doktori ka mbaruar punë me narkozën, kurse tani po përdor bisturinë. Sado të thërrasë qytetari se po e therin, vetëm dhimbja do e mësojë se çfarë do të thotë ta ndjesh në palcë atë për të cilën gërthet edhe opozita.

Por ka një rreze shprese për shqiptarët, e cila është vetëm lufta e çakejve. Ka nisur prej 21 janarit dhe ende vijon. Që prej video-përgjimit të Dritan Priftit, skandalit të Ilir Metës, largimit të tij, vrasjeve në Bulevard. Qëndrimi larg pushtetit i kreut të LSI-së si risi e paprecedentë, përdorimi i medieve për sulme, kacafytjet për tendera publikë e jo publikë. Leje pallatesh, ndërtim rrugësh për monopole biznesesh, pastrim parash dhe trafiqe armësh e droge. Të gjitha këto kanë dalë në shesh, kurse ujqërit janë kthyer në çakej dhe po shqyejnë njëri tjetrin. Berisha shqyen Metën dhe e do si shembull të drejtësisë pasi shpëtoi djalin e tij, Meta që shqyen PD-në duke e sulmuar në administratë. Ministri i Metës që përfshihet në skandal diplomatik pordhash, tjetri që vjedh nëpër tendera shëndetësie dhe thotë se fajtore është banka Botërore. Deputetë të LSI-së që sulmojnë ministrin e partisë së tyre, deputetë që sulmojnë njëri-tjetrin, por dhe anëtarët e kryesisë. Në PD Pollo sulmon Olldashin, ky sulmon Bashën. Berisha kërkon materiale për Olldashin si i kompromentuar në tenderë, Meta kërkon të largojë Olldashin për ti zënë vendin. Olldashi del e mbrohet se e sulmon Panorama e Fane Hysenbelliut për pallatin që po i prish pa leje, kurse në mes të detit Basha ngre dy pallate pa leje që nuk i gjen asgjë. Basha jep leje të pafundme ndërtimi në unazën që po ndërtohet, shkul vila me leje për planin e tij strategjik dhe e kalon rrugën zig-zage vetëm që të prekë Carrefurin e biznesit të familjes. Por e fundit si rreze shprese është fakti se të gjithë po përpiqen të arratisen dhe tashmë kanë nisur të fshehin pasuritë jashtë vendit. Së shpejti shifra, emra, vende, transaksione dhe banka./ama-news/

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›