Kujtimet e Kofi Annanit: Si shpëtoi Kosova nga shfarosja?
Enver Robelli
Në kujtimet e tij të sapobotuara ish-sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, zbulon shumë detaje mbi betejën diplomatike që u zhvillua mes OKB-së, SHBA-së dhe Rusisë gjatë konfliktit të përgjakshëm në Kosovë në vitet 1998-99
Adhuruesit e tij nuk janë të paktë. Ata mendojnë se Kofi Annan e ka përfaqësuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara në mënyrë dinjitoze, me vokabular të matur diplomatik dhe me talent për balancim të interesave politike të shteteve anëtare të OKB-së. Me zërin e tij të prajshëm, mendimet e formuluara me fjalë të zgjedhura, me veshjen pothuaj aristokrate, diplomati nga Gana ka arritur të fitojë prestigj në arenën ndërkombëtare. Edhe pas largimit nga posti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Annan mbetet një bashkëbisedues dhe referues shumë i kërkuar nga institutet e ndryshme, qendrat analitike, katedrat universitare.
Në anën tjetër nuk është i vogël as numri i kritikëve të Kofi Annanit. Ata e akuzojnë për shumë dështime, duke filluar nga pasiviteti i OKB-së në luftën e Bosnjës (dhe në këtë kontekst përmendet sidomos tragjedia e Srebrenicës, për të cilën Annan më 1999 ka kërkuar falje), mosintervenimi në Ruandë, për të cilin ka qenë përgjegjës Annan si nënsekretar i OKB-së, pastaj skandalet e korrupsionit në OKB, në të cilat me gjasë ishte i përzier edhe i biri i tij, mostrajtimi adekuat nga OKB i temave të rëndësishme, siç janë shëndetësia, arsimi, varfëria në botë.
Një jetë në luftë dhe paqe
Përballë kësaj biografie dhe karriere mbresëlënëse në politikën ndërkombëtare është e qartë se çdo libër i Kofi Annanit pritet me interesim. Aq më tepër kur bëhet fjalë për kujtimet e tij, të cilat janë botuar para disa muajsh dhe nëpërmjet të cilave ai i bën një bilanc punës së tij prej diplomatit të thjeshtë të OKB-së deri te posti më i lartë i saj: sekretar i përgjithshëm. Kujtimet mbajnë titullin: Një jetë në luftë dhe paqe dhe në gjermanisht janë botuar nga shtëpia DVA.
Për opinionin kosovar me interes të veçantë janë kujtimet e Kofi Annanit mbi periudhën dramatike të luftës së Kosovës. Pas leximit të tyre sërish bëhet e qartë se Kosova është çliruar, sepse pothuaj të gjitha rastësitë kanë qenë në favor të saj. Në prag të intervenimit të NATO-s kundër Serbisë në Londër qeveriste Tony Blair, një politikan energjik dhe i gatshëm për ti mbrojtur të drejtat e njeriut. Në Berlin ministër i Jashtëm ishte Joschka Fischer, i cili karrierën e tij politike e kishte filluar, mes tjerash, edhe si aktivist në mbështetje të popujve të shtypur. Në Washington presidenti Bill Clinton ishte i rrethuar me një grup bashkëpunëtorësh të prirë nga ish-ambasadorja amerikane në OKB dhe ministrja e Jashtme, Madeleine Albright, e cila duke qenë e lindur në Pragë në një familje hebraike ishte gjithsesi e sensibilizuar me temën e krimeve të luftës.
Në kujtimet e tij Annan shkruan se për OKB-në, NATO-n, Evropën dhe SHBA-në kriza në Kosovë ishte diçka e njohur dhe dorasi po ashtu ishte i njohur: Slobodan Milosheviqi. Megjithatë, intervenimi në Kosovë nuk do të kishte ndodhur aq shpejt sikur politikanët perëndimorë të mos kishin pasur parasysh krimet e mëdha në Bosnjë të shkaktuara kryesisht nga trupat serbe. Kjo bëhet e qartë gjatë leximit të kujtimeve të ish-shefit të OKB-së. Annan nënvizon se atmosfera ishte e tillë që bashkësia ndërkombëtare kësaj radhe nuk ishte e gatshme të qëndronte pasive derisa Milosheviqi po bëhej gati të përsëriste krimet edhe në Kosovë si në Bosnjë më parë. Ndonëse në pjesën më të madhe të shënimeve të tij Annan kultivon një gjuhë diplomatike, megjithatë fjalët që i rezervon për Milosheviqin janë më shumë se të qarta: e quan manipulues mjeshtëror dhe ekspert për të krijuar përshtypjen e rrejshme të bashkëpunimit derisa në realitet përdor dhunë brutale për aq sa kjo i lejohet.
Në anën e viktimave civile
Annan shpjegon se në verën e vitit 1998 kishte vendosur që Kombet e Bashkuara të pozicionohen qartë në anën e viktimave të agresionit dhe të mos i jepej kurrfarë legjitimiteti propagandës së Beogradit. Në verën e vitit 1998 qendrat e rezistencës të asaj që quhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shkatërruan si kulla prej letre përballë fushatës serbe, e cila skursente as popullsinë civile. Aksionet e UÇK-së kundër forcave serbe zhvilloheshin sipas taktikës sulmo dhe ik kështu jo rrallë popullsia civile lihej nën mëshirën e trupave serbe. Qëndrimi i Annanit në mbështetje të viktimave nuk kaloi pa debate. Mes këshilltarëve të tij pati mospajtime të mëdha: një grup e mbështeste në angazhimin e tij që OKB të mbrojë jo vetëm të drejtat e shteteve (sovranitetin!), por edhe të drejtat e individit. Tani sekretari i përgjithshëm nuk e përjashtonte më përdorimin e forcës për ti dhënë fund represionit masiv të Beogradit në Kosovë. Këtë qëndrim unë e bëra të qartë qysh herët, në një konferencë të NATO-s në qershor 1998, në të cilën u diskutua për Bosnjën si test për sigurinë kolektive në shekullin e ardhshëm. Tradicionalisht sekretari i përgjithshëm i OKB-së në takimet e aleancave ushtarake merr pjesë për tu angazhuar para të gjitha vlerave të tjera për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Me këtë rast unë në fakt insistova për përpjekje më të mëdha diplomatike, por këto do të duhej të bëheshin para një sfondi me kërcënim të besueshëm të forcës, shkruan ai. Annan që atëherë kishte paralajmëruar se smund të kishte befasi sa i përket mjeteve të përdorura dhe qëllimeve të synuara. Në fund të fjalimit ai hapur dhe si asnjëherë më parë kishte kërkuar drejtpërdrejt përdorimin e forcës: Ne në mënyrë të tmerrshme do të tallemi me të gjitha deklarimet tona të keqardhjes, me të gjitha garancitë për vendosmërinë tonë që të mos lejojmë një Bosnjë të dytë, me të gjitha shpresat për një të ardhme paqësore të Ballkanit nëse lejojmë që Kosova të bëhet një fushë tjetër me kufoma.
Po në qershor të vitit 1998 Annan mori pjesë në një konferencë në Britaninë e Madhe të organizuar nga Ditchley Foundation, ku jo vetëm apeloi për intervenim, por edhe përmendi tre shembuj nga Lufta e Ftohtë, kur OKB skishte mundur të intervenonte për shkak të përçarjes së Këshillit të Sigurimit, por këtë e kishin bërë shtetet fqinje. Në vitin 1971 India kishte ndërhyrë në luftën civile në Pakistanin lindor dhe kështu i kishte ndihmuar Bangladeshit të bëhet i pavarur. Më 1978 Vietnami kishte intervenuar në Kamboxhia për ti dhënë fund sundimit shfarosës të kmerëve të kuq. Më 1979 Tanzania kishte intervenuar në Ugandë dhe kishte rrëzuar regjimin e diktatorit
