Kujtimet e një shqiptari në Ottawa më 17 shkurt
Dita e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës
Jehona e kësaj dite më vjen vetiu e më shtyn ta përcjell në shpatin e malit përbri e ai tjetri më tej. Është kushtrimi i të parëve dhe qortimi i prindit për diçka që s'duhet lënë pa bërë.
Po, duhet një shënim a një kujtesë që pas disa vitesh të mund t'i përgjigjem pyetjes së shpeshtë: "Ku ishe më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë?" Kjo pyetje ndër shqiptarët do të bëhet si pyetjet ndër amerikanët: "Ku ishe kur u vra Kenedi?"
"A ke qënë atje kur Martin Luter King mbajti fjalën e famshme?"
Kishte disa javë që po qarkullonte pëshpërima e më pas thënia troç: "Kosova do të shpallë pavarësinë", por dukej sikur kjo ngjarje ishte përtej ditëve të përcaktuara e aq më tepër ditëve të paracaktuara. Vite e shekuj me luftra, debate, gjak të derdhur, marrëveshje e mosmarrëveshje, vendime të drejta e të padrejta, prapë debate, më pas ndihma e të mëdhenjve, luftrat e flijimet e bijve të kombit, qetësi më pas, prapë negociata...
Të gjitha këto e kishin zgjatur e stërzgjatur kohën dhe dukej sikur kishin krijuar paradokset e Zenonit, sikur Akili nuk do ta arrinte kurrë breshkën. Ishte si një seri që dihet që konvergjon por duhet t'i hysh pafundësisë për ta kapur ku ka vajtur, por dhe sikur t'ja dalësh me pafundësinë, atje si zor se do të ketë kombe: "And the world will be as one..." Ashtu qoftë Xhon, pas të vijmë, po hë për hë kombet janë aty dhe njëri prej tyre kërkoi një tjetër shtet më 17 Shkurt, 2008.
Ndodhi. Gjithë bota u gdhi me atë lajm, sepse sot çdo lajm është botëror. Bota është shumë më e mënçur se ç'qe 100 vjet më parë dhe di të mendojë më mirë për veten dhe jo vetëm për shqiptarë, serbë apo gjermanë. E ëndërron ditën kur "do të jetë si një e vetme" por më parë duhet të rregullojë qindra barazpesha. Jo më dashamirësi për një komb e mëri për një tjetër. Qytetërimi i vërtetë e di mirë që, për të mbërritur në triumfin e asaj dite kur"'bota të jetë një", triumfin e Xhonit, i duhet në çdo çast të ruajë gjithë ballancat, mos ta humbë nga sytë atë pikën fikse të ekuilibrit të një Xhoni tjeter, (Xhon Nash) ku interesat ndërshtetërore dhe pasionet ndërnjerëzore sikur gjejnë paqtimin më të mirë të mundshëm. Dhe nga John Nash tek John Lennon mund të ketë mijëra vite.
Kishte vetëm dy ditë që u përcoll një e-mail për një grumbullim përpara Parlamentit Kanadez, por asgjë zyrtare. Ishte lënë fokusi për Toronto dhe shqiptarët po tregoheshin të duruar e të matur këtu në Ottawa.
Dhe kështu, më telefonon një mik dhe e lamë për të shkuar tek Kodra e Parlamentit. Jo me qerre e araba siç u nisën drejt Vlorës 95 vjet më parë, por me autobuz (OC Transport), për arsye parkimi. Do të them pak fjalë për këtë mik dhe për ndonjë tjetër nga ata të asaj dite vetëm për të dhënë ndjesinë e asaj cikje rëndom të kombit në një ditë astronomisht të zakonshme me ca pak vetë të ndeshur rastësisht. Një zgjedhje me vëllim tepër të vogël do të thoshte një statistikan. Megjithatë bashkësia e përgjithshme, kombi ynë pra, ishte aty. I gjithi dhe i përhershmi.
Miku ynë është Gjomarkaj (Mbiemri është krijuar nga një varg i gjatë strëgjyshërish Gjon, Mark. Ja ku shfaqet Gjoni për të tretën herë, tani në versionin shqiptar). Nga familjet më të vjetra. Nderuar ndër shekuj nga shqiptarë e të huaj, përdhosur për gjysmë shekulli po nga vetë ne shqiptarët (një paradoks apo jo?!). Përse? S'ka përgjigje të arsyeshme për këtë e për bëma të tjera të atij regjimi. Mbase e vetmja përgjigje do të ishte: U lënduan për disa dekada pikërisht sepse u nderuan për disa shekuj. Është thënë:
"'Në do të njohësh Shqipërinë, shko në Mirëditë". Në shtëpinë e tyre ndjehet kanuni, besa dhe gjithë kanonet e mikpritjes. Nuk është shkruar gjëkundi, po kushdo që hyn në atë shtëpi mund të lexojë: "Shtëpia është e mikut dhe e Zotit." Po dhe mbase është shkruar diku tek mënyra se si pritesh kur hyn tek dera, shërbimi me përgjërim i zonjës së shtëpisë, respekti i fëmijëve, kryqi i artë i djalit mbi një bluzë të zezë që sikur sjell në këto akuj gjithë fretërit françeskanë dhe Fishtën bashkë me ta. Nuk reciton kush as luan diçka në sfond, por dëgjohet "Lahuta e malcim".
Tjetri shqiptar në autobuz (pra unë), ishte me tjetër fat e të tjerë parametra. Kishte një mbiemër, sigurisht, meqë lindi dhe jetoi në Tiranë, por 60 vite më parë familja e tij nuk kishte nevojë për mbiemër. Zakonisht në fshatrat e vegjël malorë të jugut njeriu përcaktohej plotësisht nga emri i atit dhe një gjindore: X i(e) Y-it. Pra, familja, që nuk mund t'i gjëndet as trungu as degët, mbeti anonime. Përfytyroj të parët duke u sjellë kokulur në punët e bujqësisë a me bagëtinë; të djelave tek shkonin në kishën ortodokse paleokristjane që ende atje është në atë shpat të Dhëmbelit. Dhe të parët atje janë përjetë në parajsën naimjane.
Ndryshe nga miku i tij tjetri qe, në mos i përkëdhelur, të paktën i pangacmuar nga ai regjim. Po ai regjim që mikun e tij e burgosi dhe syrgjynosi. Për shkak të atit që s'e pat njohur prej 40 vjetësh. S'e kishte parë as kur kishte lindur sepse ati qe larguar. S'e kishte dëgjuar...jo, jo, e kishte dëgjuar shpesh tek fliste shqip nga Radio Vatikani për punët e fesë e të Shqipërisë. E admironte por nuk e dinte që ishte i ati. Edhe vetë e kam pasë dëgjuar në fshehtësi dhe zëri i tij ende më kumbon, njëlloj si në vitet '80: "...që Jezui ka me ba n'lumnin e tij".
Këta të dy u ndodhën në autobuzin që shkonte drejt kodrinës së parlamentit kanadez ku u tha që do të bëhej një manifestim i vogël e se Kosova do të shpallte pavarësinë. Këta njoh dhe prandaj po flas për ta. Historitë e të tjerëve në Toronto, New York e dhjetra qytete të tjerë të planetit, të shqiptarëve ngujuar në sheshet e Prishtinës e Tiranës janë me mijëra, e me mijëra janë prekëse, tronditëse, të dhimbshme, heroike. Ka dhe plot të tjera jo fort të lavdishme, por atë ditë sikur të largoheshin.
Tek afroheshim tek sheshi i parlamentit skuqte një nyje flamujsh që valëzonin e vallëzonin nën tinguj shqiptarë. Pyll i kuq lëvizës shekspirian që nuk kërcënonte kërrkënd. Vetëm gëzonte. E kuqja dukej sundimtare mbi bardhësinë e dëborës. Shqiponjat e flamujve dhe gjithë ata lumej shekullorë gjaku që vërshonin në mëndjet tona për të ardhur tek ky çast, e bënin të kuqen edhe më të thellë e hijerëndë. Por atmosfera ishte e hareshme siç mund të jetë një fllad lirie. Dëgjohej një këngë kosovare që risillte gjithë përkushtimet, mundimet e flijimet. Të gjithë atyre që e deshën këtë ditë. Ishte atje edhe gjaku i Demaçit edhe shalli i Rugovës, luftrat e Kastriotit dhe gjithshka tjetër.
Kur u afruam mund të shquaje njerëzit. Ja Arbëri nga Kosova që ishte munduar për të organizuar këtë ceremoni të thjeshtë, sublime por pa bujë, Arjani, profesori i Ottawa U, Asafi, shoku im i klasës, Gali dhe i jati, Feridi me historinë familjare 300- vjeçare Lezhë-Kosovë-Durrës, Dhurata nga Ikonomët e Fierit, Irma e Visari nga Shkodra, Sula nga Tirana që ishte marrë me parullat, Xhevdeti nga diaspora e një brezi tjetër, plot të ardhur nga Montreali e para Montrealit nga Kosova, Elbasani, Tirana, Fieri, Shkodra, nga të gjitha trojet. S'mbahet mënd sa vetë takuam e përqafuam atë ditë.
"Thank you USA!", "Thank you Canada!" e plot parulla mirënjohjeje siç e kanë shqiptarët. Mund të përfytyroje buzëqeshjen e Kryeministrit Harper po qe se në atë çast ndodhej në zyrë dhe po e shihte festën.
Këngët e vallet qenë zgjedhur thjesht, por kjo i bënte edhe më prekëse. Nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Jo vetëm këngë epike. Epizmi i ishte lënë shekujve. Këto çaste deshën vetëm një gëzim të dëlirë e të përbashkët të shqiptarëve. S'ishte vëndi për solemnitet as për të ndërsyer tërbime të ndonjë kombi tjetër. Më preku veçanërisht kënga përmetare "A kanë ujë ato burime?" Në një çast muzika u ndërpre dhe një folës thotë në megafon: "Irlanda e njohu Kosovën". U duk sikur Enya hyri të vazhdonte avazin e Laver Bariut.
Edhe niste tek-tuk ndonjë bisedë merakosje për "njohjen e Kosovës nga tw tjerët" por lihej përgjysmë. Të gjithë ishin nën dehjen kolektive që japin çaste të tilla kombëtare. Sepse ndodhin rrallë ndër shekuj. Dhe u tha "Sot është zëmra, nesër le të fillojë truri".
Ceremonia nuk zgjati. Nuk duhej lënë shkas. Duhej përmbajtur gjithshka. Edhe ngazëllimi i atyre minutave që dukeshin tani si një ëndërr e bukur. Veç për t'i lënë vëndin pjekurisë politike, modestisë e urtësisë. Dhe njerëzit u shpërndanë.
Rastësisht u ndodhën katër nga ne që u ulën në një kafe të qëndrës së qytetit. U fol për gjëra të zakonshme, por kishte një paqe të re në bisedë. Dhe përsëri, edhe në këtë katërshe, shfaqet statistika e pasur shqiptare: katër vetë, tre fe, dy dialekte, tre nëndialekte, një komb.
Ottawa, shkurt-korrik 2008
Alfred Kosta, organizator i dhjetoristëve dhe anëtar i grevës së rrëzimit të statujës në 20 shkurt 1991, pedagog i Analizës Matematike në Fakultetin e Inxhinierisë së UT në atë kohë dhe specialist i statistikës matematike në një institucion federal kanadez sot.