Pafajësi për të rinjtë e Toçit
VENDIMI/ Gjykata e Gjirokastrës u shpreh se prokuroria nuk duhet ta kishte nisur fare hetimin
GJIROKASTËR- "Prokuroria nuk duhet ta kishte sjellë çështjen penale për Luan Halilin dhe Orgen Hasanbegaj për shqyrtim". Ky ka qenë konkluzioni i Gjykatës së Faktit në Gjirokastër në përfundim të gjyqit ndaj dy të rinjve nga fshati Toç, që akuzoheshin për veprën penale të "organizimit dhe pjesëmarrjes në tubime të paligjshme, në bashkëpunim".
Pas pesë seancash gjyqësore, të zhvilluara nga muaji dhjetor e në vijim, trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtari Shkëlqim Mustafa ka vendosur të pushojë çështjen ndaj dy të rinjve, pasi, sipas tij, nuk është konsumuar asnjë vepër penale, duke qenë se protesta nuk është organizuar në shesh publik apo në rrugë kombëtare. "Nga sa është konstatuar, del se dy të rinjtë nuk kishin detyrim ligjor për të njoftuar policinë, kjo për shkak të vendit ku është zhvilluar një tubim i tillë.
Por, pavarësisht kësaj, dy të pandehurit e kanë njoftuar policinë për organizimin e tubimit. Që në fillim, nga ana e drejtuesve të komisariatit të policisë Tepelenë, lehtësisht mund të përcaktohej se vendi ku do të zhvillohej tubimi nuk ishte një vend që mund të cilësohej si shesh apo vendkalim publik dhe për rrjedhojë nuk mund të kërkonin nga të pandehurit të plotësonin kriteret e përcaktuara në nenin 5 të ligjit për tubimet.
Pretendimi i akuzës se është zënë rruga nacionale për një kohë të shkurtër duke ndaluar përkohësisht 2-3 makina, deri në përfundim të tubimit dhe të pandehurit duhet të përgjigjen penalisht për veprën penale për të cilën akuzohen nuk qëndron",- ka argumentuar në vendim gjyqtari Shkëlqim Mustafa. Vendimi i gjykatës është pritur me entusiazëm.
"Ky vendim vuri në vend dinjitetin tonë kombëtar", u shpreh Luan Halili, ndërsa Orgen Hasanbegaj tha se "sot u vërtetua që drejtësia ekziston". I pranishëm edhe gjatë seancës së fundit, drejtuesi i G99-s, Erjon Veliaj, e ka cilësuar vendimin e gjykatës si një tregues shumë të mirë të dhënies fund të indiferentizmit.
Ngjarja për të cilën u akuzuan dy të rinjtë zë fill më 28 qershor të vitit të kaluar. Banorët të fshatit Toç, rreth 20 kilometra larg qytetit të Tepelenës, kanë organizuar një tubim në hyrje të fshatit të tyre, 100 metra larg rrugës kombëtare Tepelenë-Ballsh, për të protestuar ndaj deklaratave antishqiptare të kryetarit të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, si dhe ndaj prefektit të qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, për pjesëmarrjen e tij në takimin panepirot në Konicë të Greqisë.