E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset dhe konsumatorët, pesimistë për ekonominë

Publikohet për herë të parë Treguesi i Besimit të Biznesit dhe Konsumatorit. "Tendenca ekonomike, në rënie"

Vetëm sektori i ndërtimit paraqet besim pozitiv për zhvillimet gjatë këtij viti. Industria dhe konsumatorët, në rënie


Bizneset dhe konsumatorët janë pesimistë mbi zhvillimin e ekonomisë gjatë këtij viti. Për herë të parë, në Shqipëri publikohet Indeksi i Besimit të Biznesit dhe Konsumatorit, i cili është një tregues i rëndësishëm në marrjen e vendimeve të politikave ekonomike. Banka e Shqipërisë publikoi dje rezultatet e Vrojtimit të Biznesit dhe Konsumatorit, të cilat tregojnë se tremujori i fundit i vitit të kaluar dhe tremujori i parë i këtij viti, paraqesin një panoramë aspak pozitive për dy kategoritë e përfshira në vrojtim. Vrojtimi ka përfshirë 720 biznese dhe 1200 konsumatorë. Veçori e këtyre treguesve është se japin informacion për prirjen e treguesve të ndryshëm të ekonomisë, bazuar në opinione cilësore, të marra pranë këtyre dy kategorive. "Të gjithë përdoruesit e këtij informacioni duhet të jenë të ndërgjegjshëm që ky informacion nuk zëvendëson apo dublon në asnjë rast statistikat zyrtare makroekonomike",- tha guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani. Banka e Shqipërisë i realizon këto vrojtime në bashkëpunim me INSTAT-in.


Vrojtimi


Vëzhgimi është kryer mbi katër sektorë: industrisë, ndërtimit, shërbimeve dhe besimit të konsumatorit, balancat e të cilëve formojnë Treguesin e Tendencës Ekonomike. Ky tregues ra me 10 pikë përqindje, duke arritur në 105.3% në tre muajt e fundit të vitit të kaluar. Treguesit e besimit të industrisë dhe të konsumatorëve qëndrojnë poshtë mesatares së tyre afatgjatë. Bizneset e sektorit të industrisë vlerësojnë se faktorët që kanë ndikuar negativisht në aktivitetin e tyre lidhen me praninë e ekonomisë informale dhe problemet me energjinë elektrike.

Sektori i ndërtimit është i vetmi që ka pasqyruar një tregues pozitiv besimi, i cili në tremujorin e fundit të vitit 2008 shënoi një rritje me 4 pikë përqindje. Sipas vrojtimit, ky besim u rrit nga kërkesat dhe prodhimi. Megjithëse ecuria e ekonomisë në vend, për tremujorin e fundit të 2008-ës vlerësohet negative dhe në rënie që nga vrojtimi i kaluar, bizneset e ndërtimit e kanë gjykuar të përmirësuar gjendjen e përgjithshme të biznesit të tyre. Problemet që kanë hasur më shumë bizneset e ndërtimit në aktivitetin e tyre, janë prania e ekonomisë informale dhe pengesa të kuadrit ligjor dhe institucional. Edhe për tremujorin e parë të këtij viti, pritjet e sektorit të ndërtimit janë optimiste, pavarësisht klimës së përgjithshme ekonomike që pritet të jetë negative. Gjatë tre muajve të parë të vitit, në këtë sektor pritet një rritje e shitjeve dhe përmirësim në situatën e punësimit. Vrojtimit tregon se niveli i përgjithshëm i çmimeve pritet të rritet pak, por, gjithsesi, mbetet në nivele të ulëta në krahasim me mesataren afatgjatë. Sektori i shërbimeve është ndër më të prekurit për sa i takon besimit. Në tremujorin e fundit të 2008-ës, ai ka shënuar një rënie prej 7 pikë përqindje. Megjithatë, ky tregues qëndron dukshëm mbi mesataren e tij afatgjatë. Rënia në treguesin e besimit u shkaktua nga një vlerësim më pak optimist për të tre treguesit përbërës; ecuria e përgjithshme ekonomike, situata e punësimit dhe situata financiare. Edhe për periudhën janar-mars 2009, pritjet për ecurinë e ekonomisë dhe gjendjen e përgjithshme të biznesit së tyre janë negative.

Konsumatorët: Papunësia do të rritet në 2009-ën

Konsumatorët janë pesimistë përsa i përket situatës së përgjithshme ekonomike. Në fundin e vitit të kaluar, Treguesi i Besimit të Konsumatorit pësoi rënie. Vlera e treguesit, aktualisht qëndron më poshtë mesatares së tij afatgjatë. Rënia në treguesin e besimit u përcaktua nga pritjet pesimiste të konsumatorëve për situatën e tyre financiare dhe ekonomike për tremujorin e parë të 2009-ës, si dhe vlerësimin negativ të situatës së blerjeve në shuma të mëdha dhe situatës së kursimit gjatë 3 muajve të fundit të vitit 2008. Konsumatorët presin rënie në nivelin e përgjithshëm të çmimeve pas një tremujori dhe pas një viti. Vrojtimi tregon se ata presin që, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, niveli i papunësisë të rritet. Rreth 49% e konsumatorëve janë shprehur se papunësia do të rritet gjatë vitit në vijim.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›