E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukan-Panariti: Bashkëpunim për imunitetin

Kryetari i Delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan siguroi ministrin e jashtëm Edmond Panariti për mbështetjen e parlamentit evropian në avancimin e Shqipërisë në agjendën e saj evropiane, si dhe vlerësoi progresin e arritur.

Në takimin me kryediplomatin shqiptar Kukan vuri në dukje se është shumë e rëndësishme që të vijojë bashkëpunimi për zbatimin e detyrimeve të mbetura, si çështja e imunitetit dhe ligjeve të tjera që kërkojnë miratimin me shumicë të cilësuar në parlament.
Në fillim të takimit, Ministri Panariti vlerësoi rolin e rëndësishëm që ka luajtur dhe vijon të luajë Parlamenti Evropian në drejtim të procesit të afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Më tej, Ministri Panariti bëri një pasqyrë të përmbushjes së 12 Prioriteteve të Komisionit Evropian, duke e vënë theksin te prirja pozitive që është vërejtur përgjatë këtij viti në ritmin e përmbushjes së këtyre detyrimeve.
 

Zhvillimet në rajon ishin një tjetër çështje që u trajtua gjatë këtij takimi, ku u theksua roli aktiv dhe mjaft konstruktiv që luan Shqipëria për bashkëpunimin gjithëpërfshirës rajonal në dobi të paqes dhe stabilitetit.

Gjithashtu ministri Panariti është takuar edhe me Presidentin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, Elmar Brok. Gjatë takimit Ministri Panariti bëri një ekspoze të ecurisë së deritanishme të procesit të reformave të ndërmarra nga qeveria dhe parlamenti shqiptar në kuadër të plotësimit të 12 kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit kandidat nga ana e Shqipërisë. Ai tha se ky proces do të vijojë edhe më tej me miratimin e ligjeve të rëndësishme që lidhen me reformën administrative, sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit.
 

Gjithashtu, ai informoi mbi progresin e arritur në lidhje me çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Panariti shprehu besimin se të gjithë këta hapa do të përkthehen në një vlerësim pozitiv nga ana e Komisionit Evropian dhe vendet anëtare të BE-së për dhënien e statusit kandidat brenda këtij viti.

Nga ana e tij, z. Brok pasi vlerësoi ecurinë e deritanishme të reformave të ndërmarra në Shqipëri në kuadrin e procesit të integrimit evropian tha se Parlamenti Evropian mbështet zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor përfshirë Shqipërinë. Ai u ndal posaçërisht në zhvillimet në rajon dhe përshëndeti rolin e qeverisë shqiptare ndaj vendeve të rajonit. Ai shprehu nevojën që Shqipëria të forcojë më tej rolin e saj në raport me faktorin shqiptar në rajon në funksion të stabilitetit dhe integrimit të vendeve të rajonit.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›