Ministri Panariti viziton më 5 tetor Greqinë
Ministri i jashtëm Edmond Panariti viziton më datën 5 tetor Greqinë. Lajmi është konfirmuar nga ministria e cila thekson se kryediplomati shqiptar do të vizitojë shtetin fqinj me ftesë të homologut grek Dimitris-Avramopulos.
Pritet që gjatë vizitës së Panaritit në Greqi të diskutohet edhe çështja e ndarjes së ujërave territoriale, çështje e mbetur pezull për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, pritet të jetë zyrtari i parë i lartë shqiptar që do të vizitojë Greqinë pas konstituimit të qeverisë së re greke.
Gjithashtu, kjo është vizita e parë e një ministri të jashtëm shqiptar në shtetin Helen pas 8 vjetësh, përjashto takimet rajonale.