E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukan: Vendimi për Shqipërinë, ndoshta në verën e 2012

TIRANE- Politika shqiptare duhet t'i japë fund lojës së fajësimit të njëri-tjetrit, pasi populli shqiptar meriton shumë më tepër se ç'është arritur deri tani sa i përket integrimit europian. Kështu shprehet kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan në një intervistë ekskluzive për emisionin Diplomaticus në "News 24", dhënë gazetares Erjona Rusi.

Eurodeputeti shprehet qartë se nëse gjërat shkojnë mirë dhe vazhdohet në frymën e dialogut të nisur mes mazhorancës dhe opozitës, nuk përjashtohet mundësia që Komisioni Europian vitin e ardhshëm të sugjerojë një raport të ri, diçka më shpejt se vjeshta, mbase në qershor të vitit të ardhshëm. Intervistën e plotë mund ta ndiqni sot në orën 19:00 në "News 24".

Zoti Kukan, u krijua ideja se pas nisjes së punës për reformën elektorale, atë parlamentare dhe pas miratimit të disa ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament, Këshilli i BE-së mund ta vlerësonte këtë hap për t'i kërkuar Komisionit Europian që të hartonte një opinion brenda marsit të vitit të ardhshëm dhe jo në vjeshtë, për të nxitur disi politikën shqiptare që të vazhdojë në këtë rrugë bashkëpunimi. Pse nuk ndodhi kjo? Mos vallë ishte një lloj optimizmi i tepruar nga ana jonë?
Kukan: Mbase pritshmëritë ishin tepër të larta. E vërteta është që sinjalet e reja pozitive që po vijnë nga Tirana, u mirëpritën shumë nga institucionet europiane dhe u vlerësuan, por ne thjesht do të donim më shumë rezultate konkrete për të konfirmuar që kjo situatë e re është e qëndrueshme dhe e përhershme. Edhe pse po të shihni konkluzionet e Këshillit Europian, vështrimi i përgjithshëm ndaj Shqipërisë është pozitiv. Të jeni të sigurt se pa këto do të kishte qenë shumë më i keq dhe shumë më kritik. Ndaj mund të them që nëse ky proces dialogu dhe bashkëpunimi vazhdon me këto hapa, nuk përjashtohet mundësia që Komisioni Europian vitin e ardhshëm të sugjerojë një raport të ri, diçka më shpejt se vjeshta, mbase në qershor të vitit të ardhshëm. Ajo që dua të them është se ndryshimet pozitive janë vënë në dukje dhe janë vlerësuar, ja pse Shqipëria duket shumë më mirë në konkluzionet e Këshillit dhe shumë më pozitive. Ndaj ju lutem, merreni si një inkurajim për të vazhduar këtë proces. Por ne duam dhe na nevojiten prova më konkrete dhe rezultate të dukshme.

Zoti Kukan, kemi dëgjuar mazhorancën të fajësojë opozitën dhe anasjelltas për humbjen e statusit kandidat, kohët e fundit madje ka pasur shumë deklarata lidhur me këtë. Cili është mesazhi juaj për politikën shqiptare?
Kukan: Mesazhi im për politikën shqiptare është se kjo lojë për t'i hedhur fajin njëri-tjetrit nuk është mënyra e duhur për t'u përballur me këtë çështje. Ata duhet të marrin mësime nga zhvillimet e mëparshme dhe nuk duhet të harrojnë atë që ndodhi në të kaluarën, por tani duhet të nisin të punojnë seriozisht për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e popullit shqiptar, i cili meriton shumë më tepër dhe shumë më mirë se ç'është arritur deri tani sa i përket integrimit europian. Ndaj ata duhet të vazhdojnë dialogun serioz për interesin e vendit dhe t'i japin fund fajësimit të njëri-tjetrit, sepse kjo gjë nuk ndihmon aspak. Mendoj se duhet të përqendrohen tek gjëra më pozitive.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›