E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukan: Zgjedhjet vendimtare, integrimi varet nga standardet e tyre

kukanBruksel- Brukseli u kërkon partive dhe politikanëve shqiptarë që ti vlerësojnë zgjedhjet e 23 qershorit si vendimtare për perspektivën evropiane të vendit. Mbarëvajtja, standartet dhe pranimi i rezultatit të tyre do të përcaktojnë qëndrimin që do të mbahet ndaj Shqipërisë, si një vend që pret dritën jeshile drejt BE-së. Kështu deklaron për Albanian Screen Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, i cili ndjek me vëmendje zhvillimin e fushatës elektorale.

“Imazhi i Shqipërisë, e ardhmja e vendit, e ardhmja e procesit të integrimit evropian do të varet shumë nga këto zgjedhje : si do organizohen ato, cila do të jetë ecuria dhe si do të pranohen rezultatet e tyre nga forcat që marrin pjesë në këto zgjedhje. Pra, unë mendoj se kjo është plotësisht në përgjegjësinë e politikanëve, nëse ata janë me të vërtetë të interesuar për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Sigurisht, ata thonë se janë për këtë, por duhet që edhe me sjelljen e tyre të jenë të përgjegjshëm e në përputhje të plotë me këtë rrugë, duke pasur si kryesore në punën e tyre interesat e popullit e të vendit”,- tha Eduard Kukan, Kryetar i Delegacioni i PE.

I pyetur se si i komenton tensionet politike në Shqipëri edhe gjatë këtyre zgjedhjeve, Kukan thotë se edhe për zgjedhjet partite duhet të punojnë së bashku dhe se për këtë shembujt pozitivë nuk mungojnë. Ai iu referua per kete kohes kur partitë kanë punuar së bashku për liberalizimin e vizave.

“Unë jam në dijeni të konflikteve që kanë atje partitë politike. Por po i kthehem prapë asaj që thashë. Kemi gjithashtu edhe shembuj të tjerë. Për shembull, këto parti që nuk kanë besim të njera-tjetra kanë punuar, megjithatë, së bashku për procesin e liberalizimit të vizave. Pra, ky shembull tregon se partitë politike edhe në Shqipëri mund të punojnë së bashku dhe të kenë një sjellje të përgjegjshme kur është fjala për të ndihmuar njerëzit. Pra, kështu është e mundur të arrihen rezultate, ndryshe kjo do të ishte e pamundur. Ne jemi duke ndihmuar dhe këshilluar.Unë jam i bindur se të gjitha institucionet evropiane duan të shohin progres në Shqipëri, por ai mbetet për t’u bërë nga vetë partitë dhe politikanët shqiptarë”, tha Eduard Kukan, Kryetar i Delegacioni i PE.

Së fundmi, kryeministri Berisha në Samitin evropian të marsit në Bruksel u ka dhënë garanci vendeve anëtare të BE-së se zgjedhjet do të jenë të lira dhe korrekte në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Marrë nga AS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›