E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, rihapet libraria e parë

KUKËS- Pas rreth 20 vitesh në qytetin e Kukësit rihapet një librari me synimin për t'u ardhur më afër lexuesve të librit. "Është një biznes i harruar prej shumë vitesh, ndonëse është në rritje interesi i lexuesve për librin", thotë pronari i kësaj librarie, Korab Bajraktari.
Kjo është libraria e parë që rihapet pas 20 vitesh në qarkun e Kukësit. "Kam marrëdhënie të mira me rreth 15 shtëpi botuese të Tiranës dhe disa të tjera në Kosovë për tregtimin e librit", thotë Korabi.
Edhe pse ka pak kohë e hapur libraria ka tërhequr vemendjen e lexuesve, veçanërisht të moshës së vjetër.
"Interesohen veçanërisht për librin historik, librat me kujtime, apo edhe për romanet" por vene ne dukje se cmimet jane te larta", thotë Korabi. Sipas tij, lexuesit e moshës së re janë më të paktë dhe ata më shumë i drejtohen internetit sesa librit.
Në qytetin e Kukësit funksionon edhe një bibliotekë, e cila ka një fond prej rreth 70 mijë titujsh. Por mungesa e fondeve e ka bërë të vështirë tërheqjen e librit të ri në mjediset e bibliotekës, gjë që ka sjellë rënien e numrit të lexuesve. Aktualisht ka vetëm 400 lexues, nga mbi 700 që kishte vitin e kaluar.
Në mungesë të bibliotekave në zonat rurale ka nisur puna për pajisjen e shkollave me biblioteka, me një numër titujsh nga 500 deri në 2000. Aktualisht në rrethin e Kukësit janë ngritur e funksionojnë biblioteka në 24 shkolla, nga 57 shkolla të arsimit parauniversitar që ka në këtë rreth.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›