E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, rinisin reshjet e borës, qarkullimi vetëm zinxhirë

KUKES- Reshje të dendura dëbore që kanë përfshirë gjithë rrethin e Kukësit që nga mesnata vazhdojnë pa ndërprerje, duke përkeqësuar lëvizjen e mjeteve në të gjitha akset rrugore, të cilat lejohen vetëm me zinxhirë.

Aktualisht, trashësia e dëborës në qytetin e Kukësit arrin në rreth 10 centimetra, ndërsa në zonat rurale mbi 30 centimetra.

Për mbajtjen hapur të aksit rrugor Morin- Kukës-Qafë Shllak janë angazhuar 3 borëpastruese dhe dy mjete të tjera. Rruga është e kalueshme me zinxhirë, ndërsa është bllokuar krejtësisht lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë, bënë të ditur burime nga drejtoria rajonale e rrugëve.
Ndërkaq është vështirësuar lëvizja në aksin rrugor Krumë- Kukës, veçanërisht në vendin e quajtur Qafa e Toblit dhe për mbajtjen hapur të këtij segmenti po punon një mjet bjellorus. Po ashtu, 2 mjete të tjera borëpastruese janë angazhuar në akset rrugore Kukës – Shishtavec dhe Kukës – Bushtricë, ku lëvizja e mjeteve kryhet me vështirësi.

Sot në mëngjes temperatura në qytetin e Kukësit është minus 1 gradë, Më e vështirë ëshë situata në komunat e thella që vazhdojnë të jenë të izoluara si, Zapod, Arrën, Grykë Cajë e Kalis, ku trashësia e dëborës i ka kaluar të 60 centimetrat.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›