E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pr/ligji për SHISH, Shaqiri paraqet disa amendime

TIRANE-Komisioni i Ligjeve diskutoi sot për ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH). Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri paraqiti sot në komisionin e ligjeve, disa amendime në projektligjin e propozuar nga qeveria "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin organik të SHISH-it". Anëtarët opozitarë të Komisionit parlamentar të Ligjeve nuk ishin të pranishëm në diskutim.
Gjatë një seance dëgjimore në këtë komision, Drejtori i SHISH-it tha se "nevoja për këto amendimet lindi pas mbledhjes së fundit të Komitetit të politikave të luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit te parave, ku Kryeministri Berisha kërkoi amendimin e ligjit organik të SHISH-it".
Shaqiri ka deklaruar se ndryshimet e propozuara ne ligjin për SHISH janë të nevojshme. "Kryeministri porositi që nga SHISH të përgatitej një amendim i ligjit, me synimin për t'iu përgjigjur kushteve të reja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Amendimet vijnë edhe si domosdoshmëri në kuadër të detyrimeve që ka Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, procesit të liberalizimit të vizave me vendet e BE-së dhe rolit që duhet të ketë SHISH në këto procese", tha Shaqiri.
Ne mbledhjen ku nuk ishin te pranishem deputetet e PS, Shaqiri kërkoi që institucioni qe ai drejton të ketë kompetenca te veproje edhe jashte vendit.
"Ndryshimet e propozuara, konsistojnë në saktësimin e emërtimit të SHISH-it në ligj dhe në kryerjen e veprimtarisë së zbulimit jashtë vendit". Drejtori Shaqiri sqaroi se "në kushtet e reja, SHISH mund të kryejë veprime të specializuara tekniko-informative edhe jashtë territorit të vendit".
Amendimet kanë të bëjnë edhe me kryerjen e veprimtarive të kundërzbulimit brenda vendit dhe mbledhjen e informacionit mbi terrorizmin edhe për individë, grupe dhe organizata që i mbështesin dhe financojnë ato.
Drejtori i SHISH-it vuri në dukje se "amendimet e propozuara kanë të bëjnë edhe me mbledhjen e informacionit për krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën dhe pastrimin e parave si dhe të gjithë llojet e trafikimeve të paligjshme".

Pas paraqitjes së këtyre amendimeve nga Drejtori i SHISH-it, komisioni i ligjeve vazhdoi mbledhjen me dyer të mbyllura
Burime nga mbledhja e cila vazhdoi me pas me dyer te mbyllura thone se disa nga kërkesat e SHISH jane marrë parasysh, por pa konfirmuar se cilat prej neneve janë ndryshuar.
Tërheqja e qeverisë për draftin në fjalë në fakt më shumë sesa qëndrimi i opozitës erdhi nga qëndrimi dhe rezervat që kishin vetë ndërkombëtarët ku vende anëtare të NATO-s kanë shpenzuar kohë dhe resurse për të rritur profesionalizmin e këtij shërbimi në Shqipëri.

(d.b/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›