Kukësi mblidhet para Luftëtarit, drejtuesit duan spektakël dhe Fair-Play
Në Kukës tashmë besojnë se superiorja është një ëndërr që mund të kthehet në realitet, fill pas sfidës me gjirokastritët, ndaj kanë filluar përgatitjet edhe për festën.
Është bërë rutinë në kampin kuksian dhe sa herë që skuadra ndodhet para ndeshjeve vendimtare, qoftë në shtëpi apo në transfertë, mblidhet presidenca së bashku me stafin. Kështu ka ndodhur edhe dje pasdite, ku drejtuesit më të lartë të skuadrës së Kukësit janë mbledhur dhe kanë diskutuar për ecurinë e deritanishme të ekipit të tyre, por më shumë janë ndalur tek ndeshja e radhës me Luftëtarin.
Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë presidenti i ekipit, Ramë Geci, si dhe dy zv.presidentët Safet Gjici e Flamur Hoxha, si dhe donatorë dhe drejtuesit teknikë të ekipit kuksianë. Natyrisht që presidenca është shprehur entuziaste gjatë mbledhjes së djeshme për skuadrën që është vetëm një hap larg suksesit historik që është kategoria superiore, por ka kërkuar që në këto dy ndeshje shumë të rëndësishme lojtarët të përqendrohen maksimalisht, pasi në qoftë se do të merren pikët e plota, objektivi mund të kalohet dhe mund të merret titulli kampion.
Por, në thelb drejtuesit kanë kërkuar që skuadra, në këtë ndeshje të fundit në shtëpi që pritet të kthehet në festë, të luajë e qetë dhe pa tension, ndërsa tifozeria të sillet korrekte, gjatë 90-minutave por edhe pas ndeshjes. Në Kukës tashmë besojnë se superiorja është një ëndërr që mund të kthehet në realitet, fill pas sfidës me gjirokastritët, ndaj kanë filluar përgatitjet edhe për festën. Të gjithë shpresojnë që të përsëriten sukseset si në ndeshjet me Lushnjën, Besën apo Elbasanin.
Përgatitjet Ndërkohë, skuadra nën drejtimin e trajnerit Shahin Berberi, vijon stërvitjen në qytetin e Kukësit, aty ku çdo ditë ndodhet nën mbështetejn e tifozerisë së vet. Ndonëse temperaturat janë të larta, klima e freskët e Kukësit e ndihmon skuadrën që të ketë kushte komode në përgatitjet në prag të kryendeshjes me Luftëtarin.
Klima në ekip është optimiste, madje në seancat stërvitore ka seriozitet por nuk mungojnë edhe batutat mes lojtarëve. Ndërkohë, në qytet, takimi Kukësi-Luftëtari është kryefjalë e ditës, madje lojtarët sa herë që dalin në rrugë përshëndeten me përzemërsi nga tifozët, të çfarëdolloj moshe.
