Nora: Kukësi mendjemadh, por Luftëtari se dërëzon kurorën
Bomberi i gjirokastritëve, Arlind Nora, thotë se në Kukës do të synohet fitorja, madje e ka ruajtur një gol për të dielën
Ndeshja Luftëtari Kukësi, e fazës së parë, u shty për shkak të borës që ra atë fund dhjetori në Gjirokastër. Nga data 25 dhjetor 2011 që duhej luajtur, sfida u zhvillua më 14 mars të këtij viti dhe gjatë gjithë atyre ditëve u bë një luftë e ftohtë që përfundimisht çoi në fitoren e bluzinjve me rezultatin 1-0.
Dhe tani për ndeshjen e kthimit polemikat janë më të ndezurat, ndonjë herë edhe përtej etikës, veçanërisht nga pala pritëse që synon ti rrëmbejë kurorën mbretërore Luftëtarit, që prej kohësh e ndjen në kokën e tij.
Ekipi gjirokastrit shpallet kampion i kategorisë së parë automatikisht me fitoren në Kukës. Në rast barazimi shpallet kampion në Gjirokastër po të fitojë me Mamurrasin ose po të humbasi me të por dhe Kukësi në Lushnjë, ose të dy (Luftëtari dhe Kukësi) të barazojnë në ndeshjet e fundit. Në rast se Luftëtari humbet me Kukësin, ai përsëri nuk i humbet shpresat për tu shpallur kampion.
Kështu, edhe në qoftë se humbet në Kukës, në qoftë se javën e fundit fiton me Mamurrasin dhe Kukësi humbet ose barazon me Lushnjën, skuadra e Dedes shpallet kampione e së parës. Sulmuesi më rezultativ i Luftëtarit, Arlind Nora, që humbi një thes me raste në ndeshjen me Adën shprehet:
Jemi të gëzuar pasi dy ndeshje para se të përfundojë kampionati kemi siguruar kalimin në superligë, që ishte objektivi themelor i sezonit dhe çdo gjë është arritur në fushën e lojës. Me pak kujdes në 2-3 ndeshje, do kishim edhe më shumë pikë sot dhe Kukësi ambicioz, titullin kampion as nuk do e ëndërronte.
Ne do të shkojmë në Kukës shumë të qetë, do të luajmë të përqendruar me tërë energjitë tona për të arritur një rezultat sa më të mirë. Të them të drejtën nuk më ka ardhur aspak mirë për disa deklarata që bëjnë kuksianët duke u treguar shumë mëndjemëdhenj. Madje ata e kanë shpallur veten kampionë në një kohë që pas ndeshjes me Luftëtarin do të shkojnë në Lushnjë dhe nuk është aspak çudi që të mos mbajnë as vendin e dytë.
Kam parandienjën që ndonjërin nga golat që humba ndaj Adës do tia shënoj Kukësit. Kam bindjen se të gjithë lojtarët që do të futen në fushën e lojës në Kukës, do të demonstrojnë karakter sportiv për të treguar edhe një herë se fanella e Luftëtarit peshën që ka fituar qysh para katër dekadash, do ta rifitojë dhe mundet ta bëjë akoma më të rëndë duke filluar që nga sezoni i ardhshëm, – tha në mbyllje të fjalës së tij një nga shtyllat e skuadrës gjirokastrite, bomberi Arlind Nora.
