Kukuvajkat e kapitalit politik
Është hipokrizi, kur nga një anë pranon të bësh kompromis, nga ana tjetër vazhdon të shpifësh dhe të shfrytëzosh fatkeqësítë për të nxjerrë kapital politík. Se, asnjë mirëkuptim nuk arrihet pa u bërë lëshime të sinqerta nga të dyja palët. Nëse P.S.-ja e do integrimin, nuk duhet të veprojë me filozofínë e përjashtimit. Zemra e mirë shfaqet sidomos në fatkeqësí. Vetëm shpirtkëqinjtë shohin kudo zí. Se, askush nuk të “përulet” deri në mohimin e vetes, megjithëse mazhoranca i ka kapërcyer kufijtë e tolerancës. Se kjo ka përqafuar, madje, devizën shekspiriane që shpall rastet, kur i duhet vetë virtytit t’i përulet vesit...që t’i bëjë mirë”. Ndaj, sikur të mirëkuptohej ky durim i saj, sa shumë do të kishte përfituar edhe vetë PS-ja! Sa “proçka” nga ato që kjo humbi me bojkotin, protestat jo paqësore dhe thirrjet për “përmbysje” të pushtetit me dhunë, do t’i qenë “harruar”, etj. Megjithatë, fisnikëría e sjelljeve dhe durimit të saj nuk ia kanë ulur aspak imazhin kësaj mazhorance. Përkundrazi. Meqë synimi i saj ka qenë vetëm integrimi, “përuljet”, bilé, e kanë lartësuar, duke ia ndriçuar synimet para elektoratit shqiptar. Se, të ulesh në tavolinë, të pranosh disa nga kushtet e kundërshtarit politik për interesat madhore të vendit, jo vetëm nuk është poshtërím, por, përkundrazi, të çmohet si madhështi morale dhe vizion prej politikani largpamës; si një filozofí pozitive praktike, e cila prodhon shumë mirëkuptim. Por dhe sinqeritet qëllimi, seriozitet premtimi, atdhetarizëm dhe vënie të interesa të elektoratit mbi ato partiake, apo personale, siç po veprojnë Rama me neobllokmenët. Se këta po tregojnë se sa të vështirë e kanë të heqin dorë nga praktika e imponimit, e politikës së pengut, e shfrytëzimit të vështirësive, e nxjerrjes së kapitalit politik edhe nga emergjencat e vështirësíve të natyrës. Harrojnë se me këto lloj qëndrimesh tregojnë vetëm paaftësi për të bërë politikë efiçente, po dhe mentalitet komunist dhune, si dhe paturpësí metodash detyrimi të kundërshtarit, sidomos në kurriz të interesave kombëtare.
Të pranosh botërisht se dëshiron ta integrosh vendin në Europë dhe të mos angazhohesh për të shpejtuar procesin e miratimit të ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar, është njëlloj si të tallesh me programin tënd, me aspiratat e elektoratit që të ka votuar. Kurse Rama me neobllokmenët, duke ndjekur taktikat enveriste të trajtimit të kundërshtarit politik si armik, si dhe duke aplikuar metodat “revolucionare” të shfrytëzimit të rrethanave për të nxjerrë përfitime meskine, po tregojnë fytyrën e tyre të hershme cinike. Madje, po përpiqen të mashtrojnë edhe veten se konsensusi e mirëkuptimi mund të arrihet edhe me metoda, që nuk i honeps as vetë elektorati i majtë. Se dhe midis socialistëve ka shumë, që duan sinqerisht të integrohet vendi në BE. Ka, bilé, që nuk pajtohen me taktikat nihiliste të lidershipit të tyre. Që i dënojnë politikat e dyfytyrësísë, si karakteristika të trashëgimisë enveriste. Se dhe socialistët nuk hanë bar. Ata i dallojnë edhe lotët e krokodilit, që derdhen në raste fatkeqësish. Madje, dallojnë se kush e do sinqerisht integrimin e vendit dhe kush përpiqet të nxjerrë përfitime nga përpjekjet e atyre, që janë angazhuar sinqerisht të mbajnë premtimet para një elektorati, që i ka votuar me shumicë. Ndoshta prandaj dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, gjithë miqtë e mëdhenj e të sinqertë të Shqipërísë po kuptojnë thellë këtë lloj filozofie të gabuar të Ramës e të neobllokmenëve. Ata po i çmojnë këto qëndrime edhe si një vetëvrasje nga ana e kësaj partie, si një mungesë alternative të besueshme, apo si reminishencë komuniste të marrjes së pushtetit me dhunë. Ndoshta prandaj dhe durimi i tyre ka arritur në kufijtë ekstremë. Por ata, duke njohur të kaluarën e hidhur të këtij populli të pafajshëm, si dhe mentalitetin megaloman e arrogant komunist, gjithë inercínë e asaj prepotence të trashëguar nga një sundim mizor 5O - vjeçar, po vetëpërmbahen dhe shumë herë bëjnë sikur nuk i kuptojnë qëllimet meskine të Ramës me shokë, të cilët po e vonojnë jo pa qëllim integrimin e vendit. Ndaj, tërë këshillat dhe rekomandimet e tyre po synojnë të bindin elektoratin se politika të tilla, jo vetëm nuk ndihmojnë që Shqipëría të zërë vendin e merituar në familjen europiane, por ka rrezik ta dëmtojnë rëndë edhe të ardhmen e vetë kësaj partie të majtë. Ndaj, për ta shpëtuar Shqipërínë, si dhe këtë elektorat të pafajshëm, viktimë e mentaliteteve primitive komuniste, po tregojnë sot një durim gati apostolik. Sepse, misioni i tyre për integrimin e Shqipërísë në B.E. i shërben vetëm ringjalljes së këtij populli, aspiratën europiane të të cilit ata kanë kohë që e njohin. Prandaj P.S.-ja lypset të ndryshojë urgjentisht taktikë, të krijojë një filozofi të re konsensusi e mirëkuptimi, të heqë dorë nga taktikat e pengut dhe imponimit, të kërkojë të bindë Shqipërínë në alternativën e saj, të zgjerojë shpirtin e tolerancës, të distancimit prej gabimeve, të përqafojë frymën e vështrimit përpara, t’u largohet mentaliteteve se shqiptarët u dashka t’i paguajnë haraç neobllokmenëve për të fituar të drejtën e integrimit. Shkurt, P.S.-ja duhet të kuptojë se vetëm toleranca e sinqertë, vlerësimi edhe i sukseseve të kundërshtarit mund të prodhojnë mirëkuptim, por dhe madhështi morale, patriotizëm dhe vizion prej politikani modern ! Shkurt, këto qëndrime do të tregojnë vetëm frymë europine. Kurse P.S.-ja, me Ramën dhe neobllokmenët, nuk po heqin dorë nga politikat e vjetra, nga mohimi i sukseseve të demokracísë, nga përpjekjet për nxjerrje kapitali politik edhe nga fatkeqësítë, emergjencat dhe vështirësítë, që nuk varen nga vullneti i askujt !...