E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria mbron jetë, shpëton jetë

16-02-2012 / Gazeta 55

Ngrihen qendrat e shpërndarjes së ndihmave në të gjitha qendrat e komunave, të cilat janë të bllokuara nga moti i keq. Ministri Bujar Nishani njoftoi mbrëmë se situata emergjente mund të konsiderohet e kapërcyer dhe se po vihet re përmirësim i gjendjes, si në verilindje, ashtu edhe në juglindje të vendit. raportohet një sukses emocionues në të gjitha fluturimet e helikopterëve, përsa u përket emergjencave shëndetësore

Kapërcehet situata e emergjencës në zonat e prekura nga reshjet e dendura të dëborës, ndërsa pas thuajse 12 ditësh nga fillimi i reshjeve, rezultojnë të zhbllokuara të gjitha rrugët që lidhin komunat me qytetet. Si pasojë e zhbllokimit të akseve rrugore, Shtabi i Emergjencave ka dërguar ndihmat në çdo qendër komune, duke iu përgjigjur në kohë rekord nevojave imediate të banorëve. Në një bilanc të punës së Shtabit të Emergjencave, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani u shpreh dje se situata e krijuar nga moti i keq në zonat në veri, verilindje dhe juglindje të Shqipërisë është përmirësuar dhe tashmë nuk ka emergjencë. Nishani deklaroi gjatë një konference për shtyp se “rrugët, në pothuajse të gjitha qendrat e komunave, janë hapur”, çka tregon angazhimin serioz të Shtabit të Emergjencave, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të izoluar nga reshjet e dendura të dëborës, intensiteti i të cilave është i pa ndryshueshëm prej 14 ditësh.
Nishani tha se në Shkodër është bërë hapja e akseve, konkretisht është hapur Pukë-Fushë Arrëz dhe po ashtu është synuar hapja e qendrave të komunave edhe në Pukë. “Ka vijuar me intensitet të lartë puna në territorin e të katër qarqeve të cilat janë të prekura nga fatkeqësia natyrore e reshjeve të mëdha të borës dhe nën temperatura mjaft të ulëta në terren. Në qarkun e Shkodrës është bërë e mundur hapja e të gjitha akseve nacionale. Akset Shkodër – Pukë është i hapur dhe qarkullohet. Aksi Pukë - Fushë- Arrëz është i hapur dhe qarkullohet. Është hapur qendra e komunës Qafë Mali. Janë hapur 8 km drejt Komunës Iballë, që është ndër më të vështirat dhe vijon puna. Është punuar gjatë gjithë ditës dhe janë hapur 4 km drejt komunës Qelëz por sasia e madhe e akullit e ka vështirësuar punën. Në zonën e Dukagjinit është hapur rruga deri në Prekal dhe parashikohet që deri nesër pasdite të shkohet deri në Kir. Komuna Shllak po punon me mjete që ka kontraktuar me fondin e emergjencës dhe nga Komiteti i Emergjencave. Po punohet për lidhjen e aksit Vermosh – Guci. Përsa i takon operacioneve në ndihmë të shëndetit të banorëve të qarkut të Shkodrës, sot është bërë e mundur pas disa tentativash në kushte tepër të vështira të motit nga helikopterët e ushtrisë, ndërhyrja dhe shpëtimi i jetës i një të sëmuri nga Temali drejt spitalit rajonal. Gjithashtu helikopterët e ushtrisë kanë kryer dy misione fluturimi duke dërguar ndihma ushqimore në fshatin Breg Lumi në komunën Shalë, një nga komunat më të thella dhe më problematike të kësaj zone”- u shpreh Nishani. Sipas ministrit të Brendshëm, në kushte të vështira nga moti, në Shkodër helikopterët kanë ndërhyrë me mision të rrezikshëm duke bërë shpëtimin e një të sëmuri nga Temali. “Helikopterët kryen dy misione në komunën Shalë për dërgim ushqimi”- tha Nishani. Ai pretendoi se edhe në Kukës situata është e mirë, duke thënë se Rruga e Kombit është e kalueshme ndërsa janë hapur edhe rrugët deri në qendrat e komunave Tërthore, Shtiqën, Fajzë, Gjinaj, Golaj në Has. Sa i përket Tropojës, sipas ministrit janë hapur rrugët Qafë Morinë-Bajram Curri si dhe qendrat e disa komunave përfshi Margegaj. Në lidhje me emergjencat shëndetësore, Nishani tha se janë bërë ndërhyrje transport e shpëtimi i shtatzënës nga Arrëni në spital rajonal, po ashtu, ushtria ka shpëtuar jetën e një pacienti në fshatin Topojan dhe më pas është bërë transporti i një të sëmuri nga një komunë tjetër. Në Dibër janë hapur rrugë, në Bulqizë janë bllokuar vetëm dy komuna. Në këtë rreth, sipas ministrit Nishanit, janë kryer operacione për shpëtimin e një fëmijë dhe një gruaje shtatzënë. U ndihmua një grua në gjendje të rëndë në komunën Kastriot dhe një tjetër rast u bë ndërhyrja në Sllova si dhe një shtatzënë u transportua nga komuna Mukël. “Në qarkun Dibër, ku mund t’ju them se gjitha akset nacionale janë të hapura dhe të kalueshme. Është punuar nga drejtoritë rajonale të rrugëve, nga kontraktorët nga forcat e ushtrisë dhe është bërë e mundur që gjatë ditës së sotme të hapen akset: Peshkopi – Muhurr – Sinë – Arras. Vijon puna në pjesën më të vështirë të këtij segmenti drejt Zall Dardhës dhe Zall Recit. Po kështu është bërë e mundur puna dhe hapja e aksit Peshkopi – Kastriot – Trajak dhe do të vijojë në këtë segment me objektiv drejt Sllovës. Është bërë e mundur gjithashtu hapja dhe transporti në segmentin Ura Çerenecit – Kallm me objektiv final Kalanë e Dodës. Në rrethin e Bulqizës tashmë janë të bllokuara vetëm dy komuna, ajo e Ostrenit dhe Trebishtit. Të gjitha qendrat e komunave të tjera janë të hapura. Përsa i takon shërbimit shëndetësor në qarkun e Dibrës ka patur disa operacione të realizuara sot në ndihmë dhe në shërbim të jetës së qytetarëve nga komuna të ndryshme të këtij qarku. Kështu mund të informoj se është transportuar dhe shpëtuar një fëmijë nga Fushë Çidhën drejt spitalit rajonal. Gjithashtu nga ky fshat është bërë e mundur ndërhyrja, transporti dhe shpëtimi i një gruaje shtatzanë. Po kështu është transportuar dhe shpëtuar një grua nga fshati Vakuf i komunës Kastriot, në gjendje të rëndë shëndetësore, tashmë nën trajtim mjekësor në spitalin rajonal. Po kështu një rast tepër i veçantë ka qenë në kushte të vështira të motit, ndërhyrja, transporti dhe shërbimi i jetës së një pacienti nga Sllova drejt spitali rajonal si dhe të një gruaje shtatzënë nga komuna Muhur. Për qarkun e Korçës mund t’ju informoj se nuk ka më asnjë qendër komune të bllokuar. Qendrat e komunave të Korçës janë të hapura. Edhe pjesa e qendrës së komunës Çlirim, që ishte më e vështira, tashmë është e hapur. Sfida vazhdon për të lidhur rrugët e fshatrave kryesorë me qendrat e komunave. Po punohet dhe do të përfundojë sonte hapja e një segmenti 1.5 km deri në komunën Lekas. Po punohet gjithashtu me intensitet të lartë në aksin Boboshticë-Dardhë, janë aktualisht katër mjete, dy prej të cilave të enteve publike dhe dy të enteve private të zonës që kanë bashkuar forcat dhe kanë mbetur dy kilometrat e fundit, hapja e të cilave do të përfundojë gjithashtu sonte dhe do të bëhet e mundur kështu hapja e rrugës deri në qendër të komunës Dardhë. Pra siç edhe konstatohet ka pasur një vijimësi me intensitet të lartë të punës të të gjitha institucioneve të angazhuara në operacionet në terren, në aspektin e krijimit të kushteve të transportit dhe lëvizjes së qytetarëve, duke pasur si objektiv kryesor qendrat e komunave dhe natyrisht duke ofruar edhe asistencë shëndetësore dhe asistencë humanitare”- theksoi ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.
Vazhdon transportimi me helikopterë i të sëmurëve dhe grave shtatzëna/Familjarët e të sëmurëve nëse duhet ta transportojnë pacientin me helikopterë duhet të sinjalizojnë atë me një flamur, ose nëpërmjet zjarrit. Kjo me qëllim që ekuipazhi fluturues të shkoj në destinacion sepse përndryshe është e vështirë të lokalizohet lagjja apo banesa ku ka emergjencë shëndetësore. Komandanti i njësisë së helikopterëve mjekësor Albert Xhafaj thotë se përgjatë së mërkurës ka patur 5 emergjenca mjekësore, në njërën që është nisur misioni, helikopteri nuk ka mundur të ulej për shkak të motit të keq duke u rikthyer bosh në bazë. Komandat Xhafaj thotë se janë vetëm 2 helikopterë në gatishmëri për rastet emergjente. Ndërkohë që fluturimi është në varësi të motit. Deri tani nga njësia helikopterëve mjekësor, që është e vetmja në Shqipëri janë kryer gjithsej 38 misione që nga koha kur gjysma e territorit të Shqipërisë u izolua nga dëbora. Ndërsa me urdhër të Ministritë të Shëndetësisë prioritet i jepet shtatzënave, komandanti Xhafaj thotë se pjesa më e madhe e tyre është transportuar në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” dhe të tjerat në spitalet rajonale. Ndërkohë, falë operacioneve të Shtabit të Emergjencave, është bërë e mundur transportimi i një gruaje shtatzënë nga komuna Arren, për në spitalin e Kukësit. Transportimi i saj është bërë në kushte atmosferike jashtëzakonisht të vështira, pasi reshjet e dëborës binin me intensitet të lartë, gjë që ka krijuar vështirësi në uljen e helikopterit. Në orët e para të ditës së djeshme, helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë tentoi të hynte në zonë, por pati probleme nga era e fortë me reshje dëbore dhe mjegulla e dendur që mbizotëronte në zonë.
Evakuohen banorët në Dibër, nis pastrimi i çative në Peshkopi/Braktisin shtëpitë 28 familje nga fshati Grykë Nokë dhe Çidhën në Dibër. Braktisja e shtëpive është bërë nga frika e orteqeve të mundshme, pasi në këtë zonë në vitin 1985, një ortek u ka marrë jetën 13 personave. Duke parë që trashësia e dëborës është mbi 2.5 m banorët kanë vendosur të lënë shtëpitë e tyre dhe të shkojnë tek të afërmit. Ky evakuim është miratuar edhe nga shtabi i emergjencave dhe nga kryetari i komunës. 16 nga këto familje janë strehuar nga të afërmit e tyre, ndërsa 12 të tjera janë strehuar në shkollën e fshatit. Nga komuna dhe prefektura u janë siguruar kushte optimale për të jetuar. Ndërkaq Prefektura e Dibrës ka angazhuar forcat e zjarrfikëseve për pastrimin e çative të shkollave menjëherë pas porosisë së kryeministrit Sali Berisha. Gjithashtu prefektura ka hartuar një listë të banorëve që nuk kanë asnjë mundësi për të larguar borën nga shtëpitë e tyre. Ndërsa të gjitha rrugët e fshatrave dhe të komunave janë të bllokuara.
Aeroporti i Kukësit në ndihmë të zonave të bllokuara/Janë dislokuar në aeroportin e Kukësit 34 kamionë, 3 autoambulanca dhe forcat ushtarake, të operacionit të emergjencave civile. Aeroporti i Kukësit do të shërbejë si bazë në fushën e aviacionit në shpërndarjen e ndihmave në zonat e bllokuara nga dëbora. Forcat e Ushtrisë do të koordinohen me pushtetin lokal dhe do të bëjnë shpërndarjen e ndihmave ushqimore e mjekësore si dhe evakuimin e banorëve. Rruga nacionale nga Tirana drejt Kukësit vijon normalisht deri në Rrëshen, në Reps dalin problemet e para, por falë punës së Forcave Ushtarake dhe borë-pastrueseve është mbajtur e hapur deri në Kukës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›