Kuliçaj vrau me dashje balerinën. Prokuroria dërgon dosjen në gjykatë
100 dëshmitarë dhe kamerat e sigurisë bindin përfundimisht prokurorinë se vrasësi i balerinës Sonila Tafa është Artur Kuliçaj.
Pas tre muajsh hetime, prokuroria e Tiranës mbyll dosjen duke e akuzuar 34- vjeçarin për vrasjen me dashje të balerinës Sonila Tafa, në hyrje të lokalit të natës Dream City.
Dosja ndaj Kuliçajt është dorëzuar në gjykatë dhe pritet që gjykimi ndaj tij të kryhet në mungesë të të pandehurit, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ndërkohë që burime të prokurorisë bëjnë të ditur se ndaj Kuliçajt ka prova të mjaftueshme, qoftë shkencore, si dhe dëshmitarë të shumtë që kanë parë e identifikuar autorin e krimit.
Po sipas prokurorisë, Kuliçaj ka rrezikuar edhe jetën e shumë personave të tjerë çka e rëndon edhe më tepër pozitën e tij.
Ngjarja
Më 7 prill, balerina Sonila Tafa ka gjetur vdekjen, si pasojë e plumbave, për të cilat prokuroria thotë se ka prova që janë qëlluar nga arma e Artur Kuliçaj.
Ngjarja tronditi opinionin, jo vetëm për faktin se vajza ishte viktimë e rastësishme e mllefit të autorit të krimit, por dhe për faktin se policia fillimisht deklaroi vetëm inicialet e të dyshuarit si vrasës. Kjo për faktin se Artur Kuliçaj është i afërm i zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Pas 3 muajsh nga kjo ngjarje, prokuroria ka dërguar dosjen për gjykim duke përcaktuar edhe dinamikën e ngjarjes që i mori jetën balerinës.
Akuza shprehet se para se të ekzekutonte balerinën, Kuliçaj ka pasur një zënkë me disa persona në ambientet e brendshme të lokalit të natës, çka ka detyruar bodigardët ta nxirrnin jashtë tij.
Shtetasit e dyshuar, Artur Kuliçi dhe Endon Bajraktari, të shoqëruar nga një vajzë e moshës rreth të 20-tave, kanë qenë ulur në një tavolinë në zonën e diskotekës që njihet si zona me ulëse, ku ka qenë edhe balerina Sonila Tafaj me partnerin e saj dhe një kolege.
Nga hetimi ka rezultuar se pasi është larguar, Artur Kuliçai është rikthyer para lokalit në orët e para të 7 prillit të këtij viti, duke qëlluar në drejtim të hyrjes kryesore të diskos Dream City.
Plumbat e armës kallashanikov i morën jetën Sonila Tafës me profesion balerinë, e cila ndodhej rastësisht jashtë diskos.
Kamerat e sigurisë
Kamerat e brendshme të lokalit kanë fiksuar një debat me gjeste mes dy tavolinave, por policia nuk konfirmonte nëse konflikti ka qenë mes tavolinës ku ishin autorët e krimit dhe tavolinës ku ndodhej balerina, apo ndonjë tavoline tjetër.
Pas gjesteve dhe fjalëve të hedhura mes palëve ka pasur disa goditje me gota dhe me shishe dhe më pas kanë ndërhyrë truprojat e diskotekës, të cilët i kanë nxjerrë jashtë Kuliçajn dhe shoqërinë e tij.
Nga pamjet filmike vërehet se 34-vjeçari Kuliçaj nuk ka qenë dakord të dilte nga lokali, madje ka kundërshtuar aktivisht të largohej, ndërsa më pas ata kanë ikur në këmbë nga pjesa e përparme e lokalit të natës, për tu kthyer aty rreth 20 minuta më vonë me një makinë tip BMW, seria 7.
Nga pamjet filmike rezulton se në këtë kohë makina ka kaluar para lokalit të natës Dream City dhe kur ndodhej paralel me hyrjen kryesore, përballë saj ka pasur disa të shtëna me armë. Pas të shtënave, rojat e diskotekës kanë hyrë brenda rrethimit dhe tre personat që ndodheshin para Sonila Tafës, duke dalë nga lokali, kanë lëvizur ne mënyrë te çrregullt dhe plumbi ka marrë vetëm balerinën, e cila ndërroi jetë pak çaste më pas.
