E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kulla Hupi” në Bulqizë, bujtinë mikpritëse për turistë vendas e të huaj

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ “Kulla Hupi” në Bulqizë është një nga shembujt kuptimplotë të zhvillimit të agrobiznesit, me bashkimin e përpjekjes së sipërmarrësit në fshat dhe mbështetjes nga qeveria përmes AZHBR.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje në rrjetet sociale nga ky agrobiznes, i cili është kthyer në një nga hapësirat më të vizituara agroturistike.

“Zgjim i bukur nga Kulla Hupi në Bulqizë”, u shpreh Rama, ndërsa ndau pamjet spektakolare të sofrës mikpritëse mes natyrës e maleve.

Me një histori 230-vjeçare, “Kulla Hupi” mirëpret qindra vizitorë vendas e të huaj, duke e përfshirë fshatin Dushaj në Fushë-Bulqizë në hartën turistike të vendit.

Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e agroturizmit si një modeli i ri i zhvillimit rural në Shqipëri.

Programi për Rijetësimin e Kullave dhe përfshirja e tyre në zinxhirin e turizmit, një nismë që lidh trashëgiminë, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm po zbatohet tashmë në katër qarqe dhe 14 bashki të veriut të Shqipërisë.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›